COVID-19/ Pampuri: Sistemi shëndetësor i mbingarkuar

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri deklaroi sot se, sistemi shëndetësor i mbingarkuar, riskon të lerë pas dore pacientët kronikë dhe me sëmundje të tjera të kurueshme.

“Sistemi shëndetësor shqiptar mund të tejngarkohet nga COVID-19, e kjo të bëhet shkak për të anashkaluar pacientët me sëmundje të tjera, jeta e të cilëve mund të vihet më shumë në rrezik se ata të prekur nga COVID- 19”, tha ajo.

“Me një buxhet të cunguar, me një keqmenaxhim dhe abuzim të fondeve me koncensionet e dështuara në shërbime, por në dobi vetëm të xhepave të oligarkëve, sistemi ka hyrë në kolaps”, theksoi Pampuri.

“Shqipëria renditet në vendet me numrin më të vogël të mjekëve për banorë, 1,1 mjekë për 1000 banorë, kjo një shifër qesharake krahasuar dhe me nevojat e qytetarëve e sidomos përballë nevojave me të cilat ato po përballen për shkak të COVID-19”, u shpreh Pampuri.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.