Braçe: Udhëheqës si Lulzim Basha nuk riciklohen, ikin sapo ndodh krimi

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se “nuk ka udhëheqës partie e për më shumë kandidat për kryeministër kund në Europë me standardin e sjelljes e veprimit kur ka qenë në pushtet, si të Lulzim Bashës”.

“Dy faqe të një gazete të madhe sot, i kushtoheshin punës së palodhur të Komisionit përzgjedhës e ndryshues, që po gjykon kandidatët për deputetë në PD! Ok! Kaq bujë duhet e po ja japin! Tani, një pyetje kam unë: Po Lulzim Basha a është i pastër për këtë komision? Të jesh ministër i Brendshëm dhe, gardistët e tu të pushkatojnë pa gjyq 4 qytetarë të pafaj, të paarmatosur e aspak të dhunshëm, është standard i pranuar apo jo nga ky komision? Të jesh ministër i Transportit, të kontrollohesh nga KLSH, të paditesh prej tij, të hetohesh nga prokuroria e të refuzosh gjykimin për një akuzë publike me procedurë, është standard i pranuar apo jo nga ky komision?”, tha Braçe.

Po ashtu Braçe shtroi pyetjen nëse është standard i pranuar apo jo nga ky komision, që të jesh ministër i Jashtëm dhe të nënshkruash një marrëveshje që rrëzohet si antikushtetuese nga gjykata më e lartë në vend e me dëm mbi interesat kombëtare.

“Të të “mbysin” me kërkesë llogarie për shtimin e paargumentuar të pasurisë fiks në kohë krize e të heshtësh, është standard i pranuar apo ky komision do bëjë hetim për këtë pasuri? Dëgjoni. Nuk ka udhëheqës partie e për më shumë kandidat për kryeministër kund në Europë me këtë standard të sjelljes e veprimit kur ka qenë në pushtet. Të tillët nuk riciklohen, ikin sapo ndodh krimi! Ndaj boll me këtë komisionin! Çështjet e rënda në PD janë këto më sipër, jo sasia e alkoolit të konsumuar nga kandidati. Për këtë mjafton një pipë në gojë, jo një komision me personalitete kaq të larta”, tha Braçe. /m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.