FOTO/ Simbol i miqësisë mes Vlorës dhe Italisë, skulptura ‘Mëmësia’ vendoset pranë qendrës historike

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Si simbol i vazhdueshëm i miqësisë mes Vlorës dhe Italisë, u vendos sot, në hyrje të Rrugës së Re, fare pranë qendrës historike, skulptura ‘Mëmësia’.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli i cili ndër të tjera falenderoi konsullen italiane që në ditët e saj të fundit në qytet, si ‘Qytetare Nderi’ u kujdes që të linte këtë kujtim të autores Silvia Paolini.

Gjithashtu kryebashkiaku i Vlorës, Leli u shpreh dhe për largimin e parakohshëm nga jeta të skulptorit të njohur, Arben Bajo për të cilin tha se nga pikëpamja profesionale dhe njerëzore ai do të mbesë gjithmonë mes nesh.

“Në një qytet që e do artin, si simbol i vazhdueshëm i miqësisë mes Vlorës dhe Italisë, u vendos sot, në hyrje të Rrugës së Re, fare pranë qendrës historike, skulptura ‘Mëmësia’. Falenderoj konsullen italiane që në ditët e saj të fundit në qytet, si ‘Qytetare Nderi’ u kujdes që të linte këtë kujtim të autores Silvia Paolini. Nga një përkim fatkeq, është e rëndësishme për mua sot, të përmend largimin e parakohshëm nga jeta të skulptorit Arben Bajo si pasojë e COVID-19. Jam i bindur që nga pikëpamja njerëzore dhe artistike, Bajo nuk do të largohet asnjëherë, por nga pikëpamja profesionale, më duhet t’iu bëj thirrje të gjithëve, banorë të Vlorës ose jo, që të tregojnë kujdesin e duhur ndaj virusit vdekjeprurës”, u shpreh Leli.

z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.