“Vizito Shqipërinë”/ Amantia, qyteti ilir ende i pazbuluar nga turistët

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Në vijim të promovimit të destinacioneve turistike në vend, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati

“Jetojmë mbi shpatet e lashtësisë sonë. Ilirët amantë ndërtuan këtë qytet të mahnitshëm mbi luginën e Lumit të Vlorës në shek. V PK. Ata jetuan dhe zotëruan mbi 1000 vite këtu, si dëshmi gjenetike e një qytetërimi antik europian. Sot ne rrojmë krenarë mbi supet e tyre”, tha Bushati.

Ndërsa fton shqiptarët që të zbulojnë vendin e tyre, Bushati u shpreh se “Amantia është një nga qytetet, sigurisht më të vjetër të kohës, por që me rrënojat e saj ka ardhur deri në ditët tona me të njëjtën madhështi”.

“Ky qytet ilir me parkun e tij arkeologjik është dëshmi e historisë së vjetër të bregdetit të Jonit, por edhe asaj kulturore kombëtare. Ajo qëndron e hijshme mbi një kodër e fortifikuar me mure, të cilët shfaqen akoma hijerëndë rreth 34 km larg nga qyteti i lashtë i Aulonës”, tha ai.

Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Për më tepër ka ende gjurmë arkitekturore, që dëshmojnë si aspektin kulturor ashtu edhe një rol të rëndësishëm ushtarak dhe politik, që i jepte një rol dominant në rajon.

Bushati tha se “ajo që e bën vërtet unik këtë park, është fakti se ende është i pazbuluar nga turistët”.

“Kjo simbiozë e të shkuarës dhe natyrës të jep mundësinë të kalosh një ditë në disa nga rrënojat më interesante të Shqipërisë, të pozicionuara në një natyrë fantastike me kodra të gjelbërta përreth, pa u shqetësuar nga ndërtimet moderne apo dhe marketingu i kujtdo tipi”, tha ai.

Parku gjendet duke ndjekur rrugën Perlat Rexhepi që ndodhet pranë Sheshit të Flamurit, dhe distanca nga Vlora është rreth 1 orë e gjysëm.

Ndër mundësitë interesante dhe atraktive, që parku arkeologjik i Amantias ofron janë edhe monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor etj.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.