Banka e Shqipërisë, në 1947 nisi financimin e objekteve që kishin projekte teknike dhe preventive të miratuara

TIRANË, 8 gusht /ATSH/- Banka e Shqipërisë më 8 gusht të vitit 1947, sipas dekretit nr.440, krahas funksionit si arkë e përgjithshme e shtetit, u ngarkua edhe me detyrën e kontrollit mbi pagesat e shpenzimeve, që i përkisnin buxhetit të shtetit dhe ndërmarrjeve, për financimin e ekonomisë nga fondet e investimeve dhe meremetimeve të mëdha.
Në njënjoftim të saj Banka e Shqipërisë informon se, me detyrën e re, ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore ishin të detyruara të paraqitnin në bankë pasqyrën analitike për investimet vjetore të miratuara.
Banka financonte objektet që kishin projekte teknike dhe preventive të miratuara, dhe brenda kufijve të fondeve të planifikuara.
Në rastet kur konstatonte tejkalime të shpenzimeve të preventivuara ose kur mjetet ishin përdorur për ndërtime jashtë planit, banka kishte të drejtë të pezullonte financimin e investimeve.
Gjithashtu, banka kishte të drejtë të kontrollonte në vend dhe të merrte pjesë në kolaudimin e veprave të ndërtimit, si dhe të kërkonte paraqitjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme për kryerjen e këtij kontrolli.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.