Balla: Operacioni i policisë se Elbasanit, goditje e fortë ndaj krimit

TIRANË, 8 gusht/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur  punën e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë Elbasan për zbulimin dhe vendosjen në pranga të autorëve të disa ngjarjeve kriminale.

Bala shprehet se “puna e kryer me profesionalizëm nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin aktiv të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan ishte një goditje e fortë ndaj krimit”.

“Ky hetim i plotë dhe profesionale ishte një detyrë që duhej kryer me shpejtësi, sikurse ishte pritshmëria e qytetarëve të Elbasanit për goditjen e fortë të krimit në këtë qytet, pas disa ngjarjeve kriminale tronditëse.  E nxisim Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë Elbasan të forcojnë luftën kundër krimit. Rezultatet e ditës së sotme, pas një pune të pandërprerë 10 ditore, janë premisa për rezultate të tjera pozitive”, deklaron Balla.

Policia e Elbasanit finalizoi sot me sukses operacionin e koduar  “Shkumbini”, duke ndaluar dy persona, të dyshuar si autorët e vrasjes së Regis Runajn, ngjarje e ndodhur në 29 korrik 2020.

Nga hetimet intensive ka rezultuar se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e shtetasit E. R., ndodhur më datë 20 korrik 2020 në Elbasan.  Policia sqaron se nga hetimet rezulton se këta shtetas, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna intensive për dokumentimin me prova ligjore, kapjen dhe arrestimin e tyre.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.