ITALI – Di Maio: Migrantët tunizianë do të riatdhesohen

ROMË, 7 gusht /ATSH-AFP/ – Migrantët tunizianë që mbërrijnë me varka në Itali do të riatdhesohen nga 10 gushti, paralajmëroi sot ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

“Ne po punojmë për të ndaluar nisjet nga Tunizia. Qytetarët tunizianë që arrijnë në Itali do të riatdhesohen, sepse për ne Tunizia është një vend i sigurt, ku mund të investojmë dhe jo një vend në luftë apo persekutimesh”, tha Di Maio.

“Për këtë arsye, nga 10 gushti, operacionet e riatdhesimit do të fillojnë me 80 riatdhesime në javë”, shtoi ai.

Ministri italian theksoi se objektivi i Italisë është një marrëveshje e re me Tunizinë mbi migracionin dhe bashkëpunimin e zhvillimit, e cila do t’i lejojë Tunizisë të japë më shumë mundësi pune për qytetarët e saj./ /ervo/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.