“2020-ta, viti i sigurisë rrugore/ Në 7 muaj përgjysmim i jetëve të humbura nga aksidentet krahasuar me 2013-ën

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Numri i jetëve të shpëtuara gjatë 7 muajve të parë të vitit 2020 është dyfish në krahasim me vitin 2013.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke publikuar statistikat për 7-mujorin e parë të vitit 2020, thekson se gjatë vjeshtës së këtij viti do të prezantohet dhe paketa e plotë e ndryshmeve ligjore, me qëllim përmirësimin e Kodit Rrugor.

“2020 e shpallëm Vitin e Sigurisë Rrugore, me synimin të vijojmë uljen e kurbës së aksidenteve, me objektiv zero jetë të humbura në 2050. Numri i jetëve të shpëtuara në këto 7 muaj është tregues sinjifikativ për punën e bërë nga institucionet dhe rritjen e përgjegjshmërisë tek drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës”, – thekson Lleshaj.

“Në vjeshtë 2020 do të kemi gati dhe do të prezantojmë paketën e plotë me ndryshimet ligjore për përmirësimet në Kodin Rrugor, që forcojnë masat dhe i bëjnë rrugët tona më të sigurta”, – nënvizon Ministri Lleshaj.

Sipas statistikave të publikuara nga ministri i Lleshaj rezulton se gjatë 7 muajve të parë të 2020-ës, u regjistruan 635 aksidente në total, 862 aksidente u regjistruan në vitin 2019, teksa në vitin 2013 u regjistruan gati dyfish në krahasim me vitin 2020, konkretisht u shënuan 1129. Sa i takon jetëve të humbura, gjithashtu kemi përgjysmim të shifrave nga 2013-ta në vitin 2020. Në 7-muajt e parë të vitit 2013 humbën jetën nga aksidentet rrugore 159 persona. Një vit më parë 115 persona, teksa këtë vit 88 persona.

Në fillim të vitit 2020, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në kuadër të planit për sigurinë rrugore, shpalli këtë vit, si vitin e sigurisë rrugore.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.