Rikualifikimi urban i qendrës së fshatit Voskop, impakt në zhvillimin e turizmit në Korçë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Projekti për “Rikualifikimin urban të fshatit Voskop” në Korçë është një investim i qeverisë shqiptare, që synon krijimin e qendrës së fshatit me hapësira moderne me ndriçim, gjelbërim stola e lulishte, që mundësojnë zhvillimin e jetës komunitare dhe të aktivitetit ekonomiko-social për të gjithë zonën.
Bashkia Korçë bën të ditur se, rehabilitimi i qendrës së fshatit Voskop ka një impakt të ndjeshëm në përmirësimin e rrjetit qarkullues nga hyrja drejt qendrës së fshatit për të vijuar në zonën piktoreske të Voskopojës, e mirënjohur dhe mjaft e frekuentuar nga vizitorët vendas dhe të huaja në çdo stinë të vitit.
Sipas bashkisë, tashmë ka përfunduar puna për ndërtimin e lulishtes së re për banorët e fshatit si dhe është ndërtuar këndi çlodhës, me gjelbërim, pemë dekorative e stola. Qendra është pajisur me ndriçimin e nevojshëm, me vende parkimi, duke krijuar një hapsirë publike me standardet më të mira, si asnjë herë më parë që i shërben qytetarëve por edhe zhvillimit të jetës ekonomike dhe aktivitetit agroturistik, në këtë zonë me mrekulli të bukurive natyrore.
Ky projekt ambicioz synon jo vetëm rivitalizimini e fshatit, por edhe influencimi dhe pasurimi i aseteve turistike dhe kulturore të qytetit të Korçës e Vlorës. Nëpërmjet punimeve ndërtimore ne qendrën e tij janë krijuar ambiente të përbashkëta ku të mblidhen banoret e fshatit në përditshmërinë e tyre që stimulon jetën sociale brenda fshatit.

Investimi i synon të risi fluksin e turistëve të interesuar në kulturën e hershme të Voskopit  dhe nëpërmjet tyre përfitimet evidente në mini bizneset e fshatit dhe zhvillimin e aktiviteteve lokale si artizanatin, kulinarinë me produktet tipike të zonës (gliko, raki, verë, mjaltë).

Turizmi agro është një tjetër aset i rëndësishëm i qytetit të Korçës, ku zona Voskop-Voskopojë, kryeson me bukuritë natyrore ku ndërthuret magjishëm gjelbërimi me tradicionalen dhe potenciali i veçantë turistik i saj tërheq fluks të lartë vizitorë në çdo ditë të vitit. /a.g//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.