Mesazhi i mjekut Kalo: Nga pandemia e gripit Spanjoll në vitet 1918 e deri në 2020, vetëm tre masa kanë dhënë efekt

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Tritan Kalo, mjek infeksionist pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka ripërsëritur apelin drejtuar qytetarëve për të respektuar tri masa të domosdoshme për të mos rrezikuar prekjen nga virusi i frikshëm.

Kalo thotë se në kohën kovidiane, ndërgjegjësimi qytetar mbetet arma më e efektshme ndaj flamës mbarëbotërore. Ai sjell në vëmendje edhe pandeminë e gripit Spanjoll në vitet 1918-1920 e deri në ditët tona, ku sipas tij vetëndërgjegjësimi ndihmon në pakësimin e dëmeve, pra në një numër sa më të vogël humbje jetësh.

“Kohë kovidian, vetëndërgjegjësimi, arma më e efektshme përballë kësaj “flame mbarëbotërore”. Nga pandemija e Gripit Spanjoll 1918-1920 e deri në Pandeminë e Sars-Cov2/Covid-19 më 2020 e në vijim, vetëm tre masa të vetëndërgjegjësimit janë treguar dhe po tregohen më të efektshme, për parandalimin e përhapjes së frikshme të tyre dhe uljen e “dëmeve në jetët njerëzore”, që ato shkaktojnë’.

“Higjena personale dhe ajo kolektive, si dhe e mjediseve ku jetojmë dhe punojmë, distancimi fizik mes nesh, aty kur dhe ku është e mundshme, dhe mbajtja e maskave kudo por më së paku në mjediset e mbyllura dhe ato të mbipopulluara.
Për asnjërën prej këtyre pandemive nuk ka pasur mjekim apo mjet parandalues specifik, por përmes këtyre masave janë shpëtuar dhe me siguri do të shpëtohen jetë të paçmimta njerëzish e do të ulen dëmet e këtyre “flamave mbarëbotërore”.

Mjeku infeksionist thotë se bluzat e bardha pp kujdesen me përkushtim ndaj çdo pacienti por janë qytetarët që duhet të duan më shumë jetët e tyre. ”Ju duam, ju respektojmë, përkujdesemi për ju në çdo moment. Duajeni edhe më shumë jetën tuaj dhe të atyre që gjallojnë pranë jush. Sars-Cov2/Covid-19 nuk njeh moshë prekjeje, dhe virusi dëmton deri në rrënim të plotë jo vetëm mushkëritë tuaja. Together forever”. z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.