Avancojnë punimet në Rrugën e Arbrit, ndërhyrje e thellë përgjatë një peizazhi fantastik natyror


TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Punimet në Rrugën e Arbrit po ecin me ritme të shpejta, ndërkohë që ndërtimi i saj do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo rrugë, ku shijohet edhe cilësia e një projekti të konceptuar me synimin për ta harmonizuar sa më shumë me natyrën.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vështrim mbi Rrugën e Arbërit, ku shijohet edhe cilësia e një projekti të konceptuar me synimin për ta harmonizuar sa më shumë me natyrën, ndërhyrjen e thellë përgjatë një peizazhi fantastik natyror, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, e sidomos në këtë rast, disa miqve këtu që nuk e di pse, po kur shohin investimet në jug shkruajnë se nuk qenka investuar në veri”, tha Rama.

Punimet në Urën e Vashës, e konsideruar si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur, kanë përfunduar. Kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark.

Po ashtu kanë përfunduar 60% e punimeve në Urën fshat.

Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km nga të cilat deri më sot në tunelin 1  janë kryer 40% e punimeve, në tunelet 2, 3, 4 dhe 6 janë kryer 98% e punimeve, ndërsa kanë përfunduar punimet në tunelin 5.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit me një gjatësi rreth 74 km, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.

Rruga e Arbrit jo vetëm do ofrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Rruga e Arbrit është një vepër inxhinierike komplekse, e cila do të bëhet realitet pas dhjetëra e dhjetëra vitesh pritje e premtime.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare. /m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.