Shuhen vatrat e zjarreve në qarqet Lezhë, Fier, Elbasan e Vlorë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Të gjitha vatrat e zjarreve të regjistruara ditët e fundit në qarqet Lezhë, Fier, Elbasan, Vlorë, tashmë janë shuar.
Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile njofton se zjarri i rënë në vendin e quajtur “Godull”, masivi pyjor Seman në bashkinë Fier, është shuar.
Ndërkohë ende janë në terren forcat zjarrfikëse, të cilat po inspektojnë terrenin për të eliminuar çdo lloj mbetjeje zjarri që mund të shkaktojë rindezje të tij.
Kryesisht verifikimet po kryhen në ato vende ku ka patur mbetje të drurëve të pishave, të rënë nën ndikimin e kushteve atmosferike në vite, të cilat mund të kenë brenda tyre elementë zjarri.
“Nga ana tjetër po kryhen edhe verifikimet lidhur me  shkallën e  dëmit nga zjarri. Paraprakisht mendohet se ai ka përfshirë rreth 140 ha shkurre dhe pjesë nën kurorë të pishave, duke mos prekur dhe dëmtuar kurorën e tyre”, bën të ditur Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.