Shembulli i familjes në Dukat të Vlorës që me mbështetjen e AZHBR-së ka krijuar një stan me 1 mijë krerë bagëti

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli vizitoi një prej familjeve fermere në Dukat të Vlorës të cilët përmes granteve të akorduara nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural kanë krijuar një stan me 1 mijë krerë bagëti, dhi e zezë.

Leli ka bërë të ditur se përmes procedurave të lehtësuara të bashkisë Vlorë dhe mbështetjes financiare nga AZHBR, Tanushin dhe dy djemtë e tij, Klaudion dhe Yzeirin, në Dukat, ka sot 1000 krerë dhi të zeza, racë autoktone që jo vetëm është e rrallë tashmë, por siguron qumështin më të mirë që tani është në kohën e tij.

Kryetari i bashkisë ka vlerësuar Tanushin i cili e ka zhvilluar punën brenda familjes dhe falë natyrës së jashtëzakonshme ku kullosin dhitë e tyre, përftojnë prodhim të shkëlqyer.

“Jemi këtu në këtë stan për të vizituar këtu mikun tonë të përbashkët, për të parë rracën autoktonë të dhive të zeza të Dukatit është pjesa dominuese dhe është ajo që duhet promovuar dhe mbështetur më tepër për cilësinë e mishit që ka dhe për qumështin fantastic kështu që arsyeja pse zgjodhëm këtë stan është pikërisht kjo gjë. Për të përmirësuar politikat e mbështetjes së blegtorisë sigurisht ekzistojnë shumë hapësira. Erdha për të shprehur mbështetjen dhe kurajon për këtë që je duke bërë dhe për të siguruar për atë që do të jenë në mbështetjen tënde, për atë që mund të zgjidhim të gjithë së bashku, në mënyrë që kjo problematikë që ju referoni që kjo mbështetje të jetë më e shtuar sa i përket AZHBR-së, të marri një frymëmarrje të re më pozitivë, në mënyrë që të vazhdojë me të njëjtin ritëm për ata që kanë dëshirë të merren me blegtori. Kjo është një sfidë e të gjithëve. Në fund është një product që ne duam ta kemi në sasi të konsiderueshme sepse nevojat për mish në territorin e Shqipërisë mbulohen, një pjesë e tyre nga eksporti. Më vjen mirë që shembulli yt me 1 mijë krerë është nga ato raste që duhet ndjekur, që duhet promovuar dhe mbështetja e të gjithëve të garantojë suksesin”, u shpreh Leli.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2020 është 743,9 milionë lekë dhe adreson financim të drejtpërdrejtë të fermerëve për 7 sektorë: blegtori, bletari, çmimin e plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore, fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

z.tosku//a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.