Dogana sekuestron mbi 20 mijë paund cash të padeklaruara në Rinas

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Strukturat Doganore gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me punonjësit e Policisë Kufitare, sekuestruan një shumë prej 22.000 Paund Cash, të cilat ishin të padeklaruara në Degën Doganore të Rinasit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se sipas raportimit të struktuarave doganore, gjatë kontrollit të pasagjerëve të linjës ajrore Wizz Air me itinerar Luton – Rinas, konstatuan se shtetasi me inicialet D.T. në valixhe dhe trup kishte të padeklaruara një sasi prej 22.000 paundësh, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga ana strukturave u kryen veprimet e para hetimore për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi dhe sendeve me vlerë”.

“Sezoni turistik rrit dhe numërin e hyrje-daljeve në vendin tonë. Kjo bën që dhe strukturat tona të rrisin edhe më tepër kontrollet, sidomos në aeroportin e Rinasit. Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që strukturat doganore, në të njëjtën linjë udhëtimi kapin sasi valute cash të padeklaruar”, thuhet në njoftimin për shtyp të doganave. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.