COVID-19/ Sektori bankar kontribuoi në rritjen e kredisë 7% për biznesin dhe individët

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës së krijuar nga COVID-19.

Kështu deklaroi sot gjatë një konference për shtyp, Guvenatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, ku vuri në dukje se, “politika fiskale ka adoptuar një kah stimulues, duke mundësuar: rritjen e shpenzimeve korrente, në interes të alokimit të fondeve për përballimin e pandemisë dhe për mbrojtjen e shtresave sociale në nevojë; krijimin e skemave të garancisë sovrane, në interes të rritjes së aksesit të biznesit në kredi; si dhe rritjen e investimeve publike, në interes të rikuperimit të pasojave të tërmetit dhe të rritjes së kërkesës agregate”.

Sejko bëri të ditur se, paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi.

“Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi”, – tha Guvernatori.

Sejko informoi se, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta. Kostot e financimit të sektorit privat mbeten të ulëta, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar vijon të shfaqë tregues të mirë likuiditeti dhe kapitalizimi.

“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar ka dhënë një kontributin të qenësishëm në drejtim të amortizimit të goditjeve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë, duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur bizneset dhe familjet shqiptare me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu, ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin privat”, – deklaroi Guvernatori Sejko. e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.