U dëmtuan nga tërmeti/ Pallatet që do të prishen dhe rikonstruktohen në njësitë 7, 8 dhe 9 në Tiranë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Bashkia e Tiranës zhvilloi sot dëgjesën e radhës me inxhinierët për pallatet e njësive Nr. 7, 8 dhe 9, ku qytetarët patën mundësi të ndjekin në mënyrë transparente analizën e thelluar të ekspertëve për dëmtimin që këto ndërtesa kanë pësuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

Nga analiza rezultoi se 3 nga këto pallate kanë pësuar dëme tepër të rënda, ku kostoja e ndërhyrjes e tejkalon vlerën nëse këto godina do të rindërtoheshin nga e para.

Ndaj, ekspertët propozuan prishjen e këtyre objekteve për t’u rindërtuar nga e para. Ndërsa, për 6 objekte të tjera është kërkuar ripërforcimi dhe rikonstruksioni i tyre.

Më konkretisht nga analiza e ekspertëve të ndërtimit rezultoi se pallati nr. 136/1, Rruga e Kavajës (Njësia administrative nr.7)”, do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 48 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Ndërsa pallati nr. 415/1, Rr. “Ferit Xhajko”, do të duhet të demolohet dhe të ndërtohet nga e para pasi kostoja e ndërhyrjes arrin në 74 % të vlerës nëse do bëhej i ri.

Pallati Nr. 26, Rr. “Fortuzi” (Njësia administrative Nr.9)”, do të duhet të demolohet dhe të ndërtohet nga e para pasi kostoja e ndërhyrjes arrin në 106 % të vlerës nëse do bëhej i ri.

Pallati Nr.1, Shkalla 1, Ap.20, Rr. “Karl Gega” (Njësia administrative Nr.9), )”, do të duhet të demolohet dhe të ndërtohet nga e para, pasi kostoja e ndërhyrjes arrin në 71 % të vlerës nëse do bëhej i ri.

Pallati Nr. 74, Rruga “Memo Meto“, Objekti 1 do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 47 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Pallati Nr. 74, Rruga “Memo Meto“, Objekti 2 do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 43 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Pallati Nr. 74, Rruga “Memo Meto“, Objekti 3 do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 53 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Pallati Nr. 74, Rruga “Memo Meto“, Objekti 4 do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 47 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Pallatet “Klara”, rr. “Sejdini” (Njësia administrative Nr. 9)”, do të duhet të ripërforcohet dhe të rikonstruktohet. Kostoja e ndërhyrjes shkon 37 për qind e vlerës nëse do të rindërtohej.

Ashtu sikurse premtoi kryebashkiaku Erion Veliaj, prej disa ditësh bashkia e Tiranës po mban dëgjesa publike me ekspertë dhe inxhinierë, të cilët japin vlerësimet nëse një godinë e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit ka nevojë të përforcohet apo do të duhet të ndërtohet nga e para. /m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.