STUDIM – Numri i rasteve me COVID-19 në Itali është më i lartë nga sa pritej

ROMË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Gjashtë herë më shumë persona, nga sa janë regjistruar zyrtarisht, mund të jenë infektuar me COVID-19 në Itali, sipas një studimi të publikuar sot nga qeveria.

Studimi, i cili u krye nga autoritetet shëndetësore dhe zyra e statistikave ISTAT, zbuloi se 1,5 milionë persona ose 2,5% e popullsisë së Italisë mund të kenë zhvilluar antitrupa të COVID-19.

“Shifra 2,5 % duket se është e ulët, por mund të shndërrohet në diçka problematike, nëse nuk jemi të kujdesshëm”, tha Carlo Blangiardo, kreu i ISTAT-it.

Studimi konfirmoi se shumë njerëz që u testuan pozitivë nuk shfaqnin ndonjë simptomë: 27,3 % e të anketuarve me antitrupa ishin asimptomatikë, me gra dhe burra të prekur në mënyrë të barabartë.

Gjithashtu, studimi tregoi se ka ndryshime drastike rajonale në lidhje me antitrupat.

Rezultatet e tij u bazuan në testet e 64 660 personave, të cilët u zgjodhën si mostra përfaqësuese, midis 15 majit dhe 15 korrikut./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.