Shkelën masat antiCOVID, 8 masa administrative për individë dhe subjekte

TIRANË, 4 Gusht/ATSH/- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 1526 inspektime dhe monitorim në 24 orët e fundit.

Nga inspektimet janë vendosur 8 masa administrative për subjekte dhe individë të gjetur në shkelje të protokolleve dhe masave për mbrojtjen nga COVID-19: 5 masa administrative me gjobë: 4 masa në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos zbatuar protokollet e miratuara, 1 masë administrative ndaj individit për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura. Gjithashtu në 24 orët e fundit janë vendosur 3 masa për pezullim aktiviteti në institucione publike.

Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Berat, Dibër, Shkodër, Tiranë, Vlorë.

Task Forca anti-COVID në total ka kryer 135.733 kontrolle dhe monitorimet në terren gjatë epidemisë dhe janë vendosur 531 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin e ri, i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjenës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe shmangien e grumbullimeve. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.