Punësimi për të papunët si pasojë e COVID-19/ Qeveria financon pagën dhe kontributet shoqërore, ndihmë të drejtpërdrejtë individit e mbështetje kompanisë

TIRANË, 4 gusht/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj foli sot në një intervistë për ERTV-në, për programin për riintegrimin e shpejtë në tregun e punës të punëkërkuesve që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, pjesë e paketave të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia.

Denaj tha se “ky është një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave që provon se ne jemi pranë qytetarëve”.

Ajo tha se “përmes këtij programi, është qeveria ajo që do të financojë pagën dhe kontributet e detyrueshme shoqërore, duke ndihmuar drejtpërdrejtë individin dhe mbështetur kompanitë në procesin e rimëkëmbjes”.

“Qeveria Rama ka treguar prej kohësh një mbështetje të madhe ndaj të gjithë personave të cilët kanë dalë të papunë, pasi dhe paketat më parë, ajo e parë dhe e dytë, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të zbutur efektin e pandemisë”, tha Denaj.

Kjo, sipas saj, “është një skemë mbështetëse e cila vjen për të nxitur punësimin dhe që ata persona që kanë dalë të papunë në periudhën e vështirë të mbylljes ekonomike të kenë mundësi të rikthehen në vendet e punës, ose aty ku kanë qenë, ose në të tjera vende pune”.

“Të mos harrojmë që ne vijmë pas një rishikimi buxheti ku për të gjithë është e qartë se jo vetëm ulja e të ardhurave të përgjithshme të buxhetit të shtetit u parashikua, por u parashikua një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për investime publike. Ne mendojmë se ky injeksion në ekonomi do të sjellë një mundësi të re edhe punësimi. Duke gërshteuar këto elementë menduam se kjo skemë vjen në momentin e duhur për të kthyer në tregun e punës ata të papunë që akoma nuk e kanë gjetur veten”, tha ajo.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Arsimit Profesional, sipas Denajt, ka të gjithë databazën e të gjithë personave që janë sot në kërkim të punës dhe bën përshatshmërinë e kërkesave të punëmarrësve me kërkesat e punëdhënësve dhe arrin të japë një subvencion sipas të tre kategorive të skemave.

Punonjësi, sipas ministres, merr një punësim afatgjatë dhe biznesi duhet të shkojë drejt këtyre punësimeve brenda mundësive që ata kanë.

“Në skemë, për një punësim sezonal ku minimumi i kohës do të ishte 4-mujor skema e parë do të subvenciononte 2 paga minimale, ndërsa skema e dytë për një punësim minimal 8-mujor 4 paga minimale. Skema e tretë do të ishte jo subvencion page por subvencion kontributesh si të punëdhënësit edhe të punëmarrësit për një periudhë 12-mujore. Kjo është një skemë që më shumë se sa do të nxiste punësimin e të papunëve do të nxiste punësimin e informalëve”, tha ajo.

Për sa i takon procedurave të regjistrimit, Denaj tha se “të gjithë formularët do të jenë online”.

“Viti i kaluar shënoi një risi dhe bashkoi zyrat e punës, pra Shërbimin Kombëtar të Punësimit me shkollat profesionale dhe të gjithë këtë shërbim e realizon një agjenci e vetme. Ne synojmë të japim një shërbim të plotë si në arsimin profesional edhe në arsimin afatshkurtër, ashtu edhe në punësim, mbështetur edhe me skema”, tha ajo.

Në terma afatgjatë, Denaj tha se “ne mendojmë se ekonomia shqiptare do të ketë një ngritje sikurse është parashikuar edhe në buxhetin afatmesëm”.

“Ky është një vit i vështirë që parashikon recesion, pra një ulje në terma reale të PBB-së. Parashikohet -4.3%, por parashikohet një rritje në vitin që vjen me 5.9% dhe mesatarisht të rritet në 4.5%”, tha ajo.

Denaj tha se “ky optimizëm mbështetet së pari pasi mendojmë që nxitja e konsumit përmes investimeve publike jo vetëm që është fakt, se rishikimi i buxhetit u aprovua në parlament, por mendoj që edhe viti që vjen në projeksionet tona ka mjaftueshëm investime publike për të nxitur dhe konsumin”.

“Turizmi do të jetë ndoshta sektori që do të ketë ngërçin më të madh pasi lëvizja e lirë e njerëzve ndjehet e kufizuar sidomos nga fakti që të gjitha vendet kanë protokolle dhe rregulla të caktuara, por në të gjithë sektorët e tjerë mendojmë se do të kenë një rritje të konsiderueshme”, tha Denaj.

Rindërtimi, sipas saj, “është një nga elementët bazë i cili për vitin që flasim, vitin korent dhe vitin që vjen do të ketë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, kjo edhe si premtim i qeverisë Rama për të kthyer në banesa të gjithë personat që kanë ngelur të pastrehë dhe kjo ka një fokus të veçantë në buxhet”.

Denaj tha se “Paketa 1 dhe 2 adresuan nevojat emergjente të bizneseve të vogla dhe të papunëve, sikurse edhe sektorin e turizmit”.

“Janë 130 mijë persona që përfituan nga paketa e parë dhe nga këta 65 mijë kanë përfituar 3 paga, ndërkohë janë 172 mijë që kanë përfituar nga paketa e dytë që ishte një pagë e vetme 40 mijë lekëshe. Ne jemi duke adresuar çdo ankesë dhe çdo kërkesë pasi jo të gjithë kanë qenë subjekt i përfitueshmërisë, pasi rregullat kanë qenë të vendosura nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë duhet të theksojmë se pjesë e paketave ka qenë edhe Garancia Sovrane. Garancia e parë Sovrane ka pasur si fokus pjesën e mbështetjes së biznesit për likuiditet për të paguar pagat. Muajt e parë pati edhe përfitueshmërinë më të madhe. Paketa e dytë përmes Garancisë Sovrane 2 ka nevojë për më shumë kohë. Ne kemi marrë më herët një kërkesë nga Shoqata e Bankave për të shtyrë afatin. Afati i aplikimeve për Garancinë e dytë Sovrane është shtyrë me 60 ditë dhe është i vlefshëm deri në fund të shtatorit”, tha Denaj. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.