“Prej më shumë se 140 ditësh puna nuk është ndalur”, Manastirliu: Të zbatojmë rregullat jetëshpëtuese, ja plani ynë për vjeshtë-dimrin


TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një mesazh drejtuar qytetarëve tha sot se “ka filluar përgatitja për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime”.

Ndërkohë, Manastirliu u drejtoi një apel qytetarëve për t’u përshtatur me normalitetin e ri duke respektuar rregullat.

“Deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur”, tha ajo.

Normaliteti i ri, sipas Manastirliut, kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur.

“Kërkon të zbatojmë rregullat e higjienës kudo, në çdo çast, kudo ku ne të mundemi. Normaliteti i ri kërkon nga ne fare pak, shumë shumë pak! Të gjithë bashkë, duke respektuar rregullat e thjeshta, por jetëshpëtuese, mund t’ia dalim! Asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur! Filloje dhe ti nga vetja! Filloje sot”, apeloi ministrja Manastirliu.

Manastirliu theksoi se puna për përballimin e epidemisë po vijon dhe nuk është ndalur për asnjë moment prej më shumë se 140 ditësh me të gjitha kapacitetet e sistemin shëndetësor, nga epidemiologët në terren, deri tek mjekët dhe infermierët që po përballen në vijën e parë me COVID-19.

“Puna jonë nuk po ndalet në asnjë moment. Jemi në shërbimin tuaj me të gjitha kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor. Një punë e madhe po bëhet në terren nga epidemiologët për testimin dhe gjurmimin e personave të dyshuar me COVID-19, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Stafi i Urgjencës Kombëtare është 24 orë të ditës i dedikuar për të pritur thirrje dhe për të çuar misionet e shpëtimit nëpërmjet numrit 127. Dhe është në terren për të adresuar çdo urgjencës me kohë dhe me cilësi”, shtoi ajo.

Ministrja tha se “një betejë e gjatë ka filluar prej më shumë se 140 ditësh në spitalin Infektiv dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Dhe puna e ekipeve heroike, të mjekëve dhe infermierëve tanë po shpëton me qindra jetë njerëzish. Mjekët e familjes gjithashtu janë duke ndjekur shëndetin e mbi 1 mijë qytetarëve të prekur nga COVID-19”, tha Manastirliu.

Në mesazhin e saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se është gati plani për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, që nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare dhe deri tek trajtimi mjekësor i pacientëve me COVID-19.

“Ne po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime. Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet COVID3 dhe COVID4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale, nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me COVID-19”, – tha Manastirliu./m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.