Pogradec/ Në shëtitoren e qytetit vendosen 15 stola të personalizuar me simbolin e mjellmës

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Mjellmat dekorative janë atraksioni më i ri në shëtitoren e qytetit të Pogradecit.

Bashkia Pogradec njofton se sot i shtoi pjesës së re të shëtitores nga sheshi i Trëndafilave deri tek ura pranë plazhit të Uçkave, 10 stolat e personalizuar me simbolin e liqenit, mjellmën.

Investimi në zonën e re këmbësore, me ndriçim publik dhe harmonizimin me detajet e tilla kanë transformuar tashmë të gjithë zonën.

Në total janë 15 stola të tillë, 5 të tjerët në vijim do vendosen në drejtim të parkut të qytetit, njofton bashkia Pogradec.

Qyteti i Pogradecit, në sajë të investimeve të ndryshme që janë ndërmarrë vitin e fundit, në vepra publike dhe shërbime që përmirësojnë cilësinë e jetës ekonomike sociale të qytetarëve dhe vizitorëve, është shndërruar në një destinacion turistik nga më të preferuarit për të gjithë grupmoshat dhe vizitorët, në çdo kohë dhe stinë të vitit, veçanërisht tani në sezonin e verës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.