Meta reagon lidhur me lirinë e medias

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me lirinë e medias në vend duke iu referuar Raportit të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian.

Meta shprehet se raporti vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.

“Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale”, shprehet Meta.

“Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit”, shprehet Meta.

Ai thekson se “inkurajoj gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i ftoj organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri. Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.