Klea Hamonikaj: Futbolli, i pari për mua. Dua të luaj jashtë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/- Lodra e preferuar e Klea Hamonikaj ka qenë gjithmonë topi i futbollit. Ajo ka pesë vite që është pjesë e klubit të “Apolonisë” së Fierit e megjithatë nuk e kujton mirë se si dhe kur i ka lindur dëshira për të ndjekur këtë rrugë.

Klea e di mirë se çfarë kërkon dhe në intervistën e saj për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org ajo tregon se ka si synim kryesor të luajë jashtë Shqipërisë. E talentuar dhe në të njëjtën kohë shumë punëtore, Klea është pjesë e ekipit kombëtar të U-19 për femra.

“Unë jam vetëm 17 vjeçe dhe mund të them se kjo është një ndër të vetmet gjëra që nuk mbaj mend, pra se si dhe kur fillova të kuptoj se sa dëshirë kisha për të luajtur futboll. Ndonjëherë mendoj se futbolli ka lindur në mua, pasi që e vogël topi i futbollit ka qenë lodra ime e preferuar”,- tregon Hamonikaj.

Ajo shton se personi që  e ka shtyrë në këtë drejtim ka qenë vëllai i vogël, “Vëllai im ka qenë mbështetja më e madhe që kur kam qenë e vogël. Ndjej pafund mirënjohje për të, pasi kur unë luaja futboll, asnjë tjetër nuk e besonte se sa unë e doja këtë lojë. Pastaj, jo vetëm familjarët, por edhe shoqëria filluan ta kuptonin se sa e madhe ishte dëshira që unë të luaja futboll dhe sa kohë i kushtoja lojës. Prej vëllait gjithashtu kam marrë edhe skuadrën e zemrës”,- tha ajo.

“Stërvitja në grup mendoj se nuk është e mjaftueshme për të arritur qëllimet që unë kam. Në 1 qershor unë kam mbushur pesë vite që jam pjesë e klubit të Apolonisë, ku stërvitemi me grupin dhe marrim më të mirën. Përveç stërvitjeve me shoqet e skuadrës, stërvitem edhe individualisht kur kam mundësi, pasi e di që kjo më shërben shumë mua”,- thekson 17-vjeçarja.

“Në vijën time të parë është futbolli. Çdo gjë tjetër vjen pas tij. Nësë të tjerët në kohën e lirë dalin apo shkojnë në aktivitete të ndryshme që mund të zhvillohen në qytet, unë jam e fokusuar vetëm te stërvitja dhe te ndeshja e radhës. Unë po punoj fort dhe po stërvitem fort që një ditë të jem pjesë e ndonjë klubi europian. Synime kam shumë, po ky është parësor. Asnjëherë nuk i dihet…”,- tha ajo.

“Motoja ime në jetë dhe të cilës unë i besoj është: “Asgjë nuk është e pamundur”. Nëse punon dhe nëse vërtetë e do një gjë, ne mund t’ia dalim. Të gjithë thonë “talenti, talenti”, por sipas meje, vetëm talenti nuk mjafton. Duhet të kombinohet talenti dhe puna. Të dyja bashkë bëjnë realitet ëndrrën”,- tha Hamonikaj.

Idhulli dhe personi që e ka ndihmuar më shumë ka qenë trajneri Nevil Dede. “Nevil Dede, padyshim. Ruaj konsideratat më të mira për të, është një njeri dhe një trajner i shkëlqyer. Unë e mbaj mend shumë pak kur ai luante, por di që ka qenë një futbollist i mirë dhe shpresoj që dhe unë një ditë të jem po aq e rëndësishme për kombëtaren e femrave, sa ishte ai për kombëtaren e djemve”,- theksoi 17-vjeçarja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.