GJERMANI – COVID-19 ”i shkurton” 4 000 vende pune aeroportit të Frankfurtit

FRANKFURT, 4 gusht /ATSH-DPA/ – ”Fraport”, operatori i Aeroportit të Frankfurtit, njoftoi planet për të shkurtuar deri në 4 000 vende pune, pasi kriza e shkaktuar në industrinë e udhëtimit ajror nga koronavirusi ende vazhdon.

Kryeshefi ekzekutiv, Stefan Schulte tha në një raport të përkohshëm për gjysmën e parë të vitit se numrat e pasagjerëve gjatë viteve 2022 dhe 2023 pritet të jenë 15-20% të niveleve të vitit 2019, që do të thotë se do të ketë më pak punë për punonjësit.

”Fraport” ka një fuqi punëtore aktuale prej rreth 22 000 personash.

Kompania, aksionarët më të mëdhenj të së cilës janë landi gjerman i Heses dhe autoriteti i qytetit të Frankfurtit, aktualisht është duke u mbështetur shumë në një skemë shtetërore për të shmangur pushimet masive.

Në tremujorin e dytë, rreth 16 000 punonjës në këtë aeroport i kishin pagat e tyre të mbuluara nga programi qeveritar i ndihmës, i cili u fillua si përgjigje e krizës së koronavirusit në mars./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.