FOTOGALERI/Turistët zgjedhin Lezhën për të pushuar

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Lezha ofron mundësi turizmi jo vetëm detin, por dhe lumin, natyrën, malin, kulinarinë dhe turizmin historik, ku zonat turistike të qytetit si Shëngjini, Tale, Rana e Hedhun mbeten të përzgjedhura si destinacione pushimi në këtë sezon turistik dhe veçanërisht për turistët nga Kosova.

Turistët në Lezhë mund të gjejnë një kombinim të turizmit malor, detar, historik, lumin e kulinarinë.

Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore e bën këtë bashki një destinacion tërheqës për turizmin kulturor.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka publikuar një sërë fotosh nga pikat turistike ku vizitorë të shumtë të grupmoshave të ndryshme kanë zgjedhur të kalojnë ditët e pushimit në këto zona.

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kune e Vain, si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.

Zona etnografike e Zadrimës, e cila shtrihet në pjesën veriore të bashkisë së re është një pasuri e cila së fundmi po kthehet në atraksion të agroturizmit dhe të ushqimit të ngadaltë.

Në Lezhë ndodhen 15 objekte monumente kulturore dhe historike, si kalaja dhe Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Zojës Nunciate, Kisha Ortodokse, Katedralja Katolike, Xhamia e Lezhës, Ura e vjetër, muret fortifikues, kompleksi skulpturor i Gjergj Fishtës, etj.

z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.