Foto/ Bregdeti i Velipojës, plazh me veti kurative

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Velipoja është plazhi më verior i Shqipërisë me bukurinë dhe kontrastet e forta që e karakterizojnë.

Plazhi i Velipojës, me ujin e tij të pastër e të kthjellët, ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë bregdetin. Në Velipojë gjendet një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri. Rëra me efektin e saj kurativ të këtij plazhi, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.

Ornela Çuçi, zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit, duke publikuar foto nga bregdeti i Velipojës ka vënë në dukje vetitë kurative të këtij plazhi.

“Në mbi 14 kilometra plazh në Velipojë, ajo që të tërheq vëmendjen, është rëra e “zezë”, që në të vërtetë është një rërë ngjyrë bojëkafe e mbyllur. Arsyen e kësaj ngjyre, që ka lidhje me përqendrimin e pazakontë të jodit, është se pjesa më e madhe e buzëdetit të Velipojës, ishte para viteve ’90, një zonë e egër dhe që ruhej si një zonë ushtarake, çka ka bërë të ruajë natyralitetin e saj”, – thekson Çuçi.

“Jodi i përqendruar i rërës së “zezë”, shëron të gjitha llojet e sëmundjeve tiroidale, që lidhen me mungesën e jodit në trup. Buzëdeti i Velipojës, e krijon këtë mundësi, në mënyrë të mrekullueshme”, – shton Çuçi

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.