COVID-19/Bushati: Që në fazat e para, qeveria shqiptare mori një sërë masash për të ndaluar përhapjen e sëmundjes

TIRANË, 4 gusht/ATSH/Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi pasditen e së martës se qeveria ka miratuar një sërë ligjesh dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

“Që në fazat e para, qeveria shqiptare, mazhoranca është përpjekur që të miratojë një sërë ligjesh, të marri një sërë masash për të ndaluar këtë sëmundje kaq të rëndë që ka paralizuar jo vetëm ekonominë por edhe për shoqërinë. Ne kaluam një fazë karantinimi që ishte e suksesshme, mbajtëm në minimum numrin e të vdekurve dhe infektuarve por hapja e ekonomisë ishte e pashmangshme, hapja e shoqërisë ishte e pashmangshme patjetër që krijoi nëpërmjet lëvizjes së qytetarëve edhe nivele më të larta të regjistrimit të infektimeve në shoqëri, e cila natyrshëm sjell më shumë humbje jete”, tha Bushati.

“Qeveria ka marrë një sërë masash, një sërë aktesh normative. Kemi ndryshuar financimin për shumë fusha, për shumë sektorë. Janë ndryshuar, tatimi për biznesin është hequr, është bërë zero, bizneset e vogla janë hequr nga fasha e TVSH-së, pra një sërë masash”, vijoj Bushati.

Bushati tha se , “ne jemi përpjekur të marrim çdo masë që të ndihmojmë ekonominë sado pak. Kuptohet që kjo është një balancë shume e brishtë, një metastazë e ruajtjes së shëndetit dhe të shoqërisë dhe asaj të ekonomisë. Çdo moment që tregohemi të pakujdesshëm që të hapemi më shpejt sesa duhet apo të tregohemi më të pakujdesshëm që kërkon profilaksia, aq më shumë dëmtohet shoqëria dhe natyrshëm dëmtohet edhe ekonomia. Nga ana tjetër duhet të vazhdojë edhe ekonomia dhe turizmi sepse janë sektorë të cilët ndihmojnë dhe ndikojnë në jetën e të gjithë qytetarëve që janë të punësuar në këto biznese, jetojnë me këto të ardhura, përfitojnë nga këto biznese dhe natyrshëm është e bazuar edhe e ardhmja e ekonomisë shqiptare”.

“Ajo që duhet pasur parasysh është distancimi social, rregullat e higjienës, ruajtja dhe zbatimi i të gjitha masave që ka ndërmarrë qeveria, respektimi i orareve apo i atyre në ambiente të mbyllura, vendosja e maskës. Janë të gjitha masa që ruajnë shëndetin dhe duke ruajtur shëndetin ruajmë edhe shëndetin e ekonomisë. Nuk mund të kemi një ekonomi kur njerëzit janë të infektuar apo ku aq më keq kemi viktima në masë, ku aktiviteti është i bllokuar, ku të gjithë sektorët e ekonomisë mund të bllokohet ndaj është në dorën e bizneseve, të qytetarëve sesa shpejt duhet të hiqen disa masa apo sa mund të përshpejtohen disa procese sepse ky është një akt balancimi shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, i hapjes së ekonomisë dhe ruajtjes së shëndetit publik”, përfundoi Bushati. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.