Basha: Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme, epokë e re në demokratizimin e partive

TIRANË, 4 gusht/ATSH/- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të martë një takim me Komisionin e Vlerësimit të Kandidaturave për Deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Basha tha se PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike

“Në ditën e parë të punës së Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave, i shpreha anëtarëve të tij, Bujar Nishanit, Besnik Mustafajit, Genc Rulit, Enriketa Papës dhe Mark Markut, vlerësimin për angazhimin në këtë proces risi të politikës shqiptare”,- njofton Basha.

“PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme”,-shprehet ai.

“Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj”, – vijon Basha.

“Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare. Modeli ynë, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qëndror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD”.- garanton Basha.

“Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorrët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik”,- shprehet Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.