Akti Normativ/ 1 miliard lekë shtesë për sektorin e ujësjellës kanalizimeve në shkallë vendi

TIRANË, 4 gusht/ATSH/Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka informuar se në Aktin Normativ të buxhetit, qeveria shqiptare ka akorduar edhe 1 miliard lekë fond shtesë për Ujësjellës Kanalizime në vend.

Në buxhetin e rishikuar, i cili u miratua disa ditë më parë në Kuvend, qeveria ka alokuar një shtesë fondi prej 1 miliard lekësh për sektorin e ujësjellës kanalizimeve në shkallë vendi.

Denaj thotë ndër të tjera se “ecim paralelisht me investimet për qytetarët”. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar strategjinë kombëtare të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, 2020-2030.

Kjo strategji është një dokument i rëndësishëm, që do të orientojë Qeverinë në përpjekjet e saj në përmirësimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Qëllimi i Strategjisë së Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime është të përmirësojë ofrimin cilësor të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për qytetarët e Shqipërisë dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit, bazuar në kryerjen e një shërbimi kryesor të infrastrukturës.

Objektivi strategjik është edhe forcimi i qëndrueshmërisë financiare dhe përballueshmërisë së shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime ndaj parimeve të kontrollit të kostos dhe mbulimit të plotë të kostos. z.tosku.//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.