Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Uashingtoni premton masa kundër TikTok

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump do të kalojë në veprim në ditët e ardshme kundër TikTok dhe aplikacioneve të tjera të lidhura me kompanitë kineze, deklaroi sot kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo.

“Presidenti amerikan, Donald Trump ka theksuar se kjo mjafton (…), pra do të marrim masa në ditët e ardhshme në përgjigje të rreziqeve të ndryshme për sigurinë kombëtare lidhur me Partinë komuniste kineze”, theksoi Pompeo në një intervistë për stacionin televiziv, Fox News.

“TikTok duhet të shitet ose të bllokohet në SHBA për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare”, theksoi gjithashtu sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, për stacionin televiziv ABC.

Toni është rritur që prej të premtes kundër rrjetit social ndërkombëtar të grupit kinez ByteDance, pas disa javëve kërcënime dhe presion.

Në kontekstin e tensioneve politike dhe tregtare me Kinën, Uashingtoni akuzon që prej disa muajsh këtë rrjet social se mund të përdoret nga qeveria kineze për qëllime mbikëqyrjeje.

TikTok ka hedhur poshtë çdo shpërndarje të të dhënave me Pekinin./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version