Manastirliu në Institutin e Shëndetit Publik: Të angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ “Programi i kontrollit, i cili parashikon vaksinimin ndaj gripit është pjesë e strategjisë tonë, për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se po merren të gjitha masat për përballimin e situatës vjeshtë-dimër.

“Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina për sa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të investimit të qeverisë shqiptare për zinxhirin ftohës për ruajtjen e vaksinave në ISHP, Manastirliu tha se sipas strategjisë dhe planit të veprimit po forcohen kapacitetet e testimit dhe paralelisht po rriten kapacitetet përsa i përket programit të vaksinimit.

“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona për sa i përket situatës së COVID-19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona për sa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e riskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha Ministrja.

Silva Bino, shefe e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, tha se gjatë kësaj kohe është bërë vlerësimi i kategorive të riskut të cilët duhet të vaksinohen ndaj gripit por që njëkohësisht janë edhe më të prekshëm nga COVID-19.

“Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga COVID-19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për COVID-19”, tha Bino. z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.