FOTO/ “Kreuztanne, cikli “homerik” i kryqëzimeve të shkrimtarit dhe piktorit Fate Velaj, promovohet në Sarandë

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Shkrimtari dhe piktori Fate Velaj ka promovuar në Sarandë trilogjinë KREUZTANNE (KREUZTANNE, NILKON dhe ITAKA) si dhe librin politiko-kulturor “100 hapa brenda Europës”.

“Kreuztanne, cikli “homerik” i kryqëzimeve të shkrimtarit dhe piktorit Fate Velaj, përshkoi së fundmi edhe Sarandën në këtë sezon turistik të vështirë, ku pak art, kulturë apo letërsi i japin dritë dhe vlerë qytetit, si dhe na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin”, shprehet deputeti i PS-së, Alket Hyseni i pranishëm në promovimin e kësaj triologjie të shkrimtarit Velaj, ku nuk munguan miq të librit, artistë dhe politikanë.

Ai shprehet se “Kreuztanne, cikli “homerik” i kryqëzimeve të shkrimtarit dhe piktorit Fate Velaj, përshkoi së fundmi edhe Sarandën në këtë sezon turistik të vështirë, ku pak art, kulturë apo letërsi i japin dritë dhe vlerë qytetit, si dhe na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin”.

I pranishëm në këtë event artistik, kryebashkiaku Ardina Gurma vlerëson se “Fate Velaj i dashuruar me Sarandën, por edhe i vlerësuar nga personalitete të përmasave botërore, duke nisur me Ismail Kadarenë, ai është aq modest në madhështinë e vet, të njeriut që prodhon kulturë e art dhe bën diplomaci kulturore”.

Triologjia “Kreuztanne” (Udhëkryq) e artistit Fate Velaj, është një libër i cili përcjell tek lexuesi përjetimet vetjake të autorit. Ky libër gjithashtu sjell një panoramë për historinë e Shqipërisë, pas viteve ’90, aspiratën e një brezi të tërë ëndërrimtarësh që arritën t’i projektonin dhe ndërtonin ëndrrat e tyre, mes sfidash në Europë.

Libri “Itaka” i cilësuar nga kritika si një risi në letërsinë shqipe, që pasuron biografinë artistike të shkrimtarit, piktorit dhe fotografit, Fate Velaj, është romani i tretë i trilogjisë, pas veprave “Kreuztanne” dhe “Nilkon”, një rrëfim ku liria fiton mbi modelin.

Falë aftësive të larta krijuese, Velaj rrëfen si komunikon me malet, me gjethet e parkut, me ketrat brenda tij, zogjtë që fluturojnë si dhe ata pa krahë që qëndrojnë brenda veshëve të tij, me blunë e detin e shkëmbinjtë, me tubetat e ngjyrave dhe penelat kur pikturon si dhe me notat e simfonive të Beethoven-it.

Libri ‘NILKON’, pjesa e dytë e trilogjisë ‘Kreuztanne’, është një histori e vërtetë. Filluar në kulmin e debateve të kuqta flakë pas ngjarjeve të 11 Shtatorit 2001 në New York, vazhduar nëpër bardhësirat vjeneze të Janarit 2002 dhe mbyllur nëpër verdhësirat e Nëntorit egjiptian në Kajron e po atij viti, me misionin shpirtëror për ndërtimin e urës artistike që do të lidhte Danubin me Nilin.

Një roman ku realiteti dhe fiksioni, shkrihen në një të vetme për ta bërë këtë libër, një monument të dashurisë dhe vlerave të ngjashme midis popujve dhe civilizimeve.

Ndërsa “100 hapa brenda Europës” është një libër që bazohet mbi ngjarje të zhvilluara nga viti 2001, deri në vitin 2016.

Është historia e ngritjes së një personi, i cili krijoi një grupim artistik e që kërkonte të merrte përsipër një rol tjetër në shoqëri, larg klisheve dhe etiketimeve se artisti është i “destinuar” të realizojë vetëm vepra arti, por që, përsipër mori rolin e mendimtarit, të krijuesit të strategjive kulturore e politike për të korrektuar e përmirësuar marrëdhëniet midis artit, kulturës dhe politikës e veçanërisht, krijimin e arkitekturës për ndërtimin e urave midis kulturave dhe civilizimeve, atyre brenda dhe jashtë kontinentit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.