COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 101 raste të reja, 6 humbje jete dhe 13 të shëruar në 24 orët e fundit

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 474 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, ku 101 persona janë konfirmuar pozitivë.

Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi sot se “në total në të gjithë vendin prej fillimit të epidemisë janë kryer 42657 testime molekulare dhe serologjike, ndërkohë vijon gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik nga strukturat e epidemiologjisë në të gjithë territorin”.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 7 në Lezhë, 5 në Shkodër, 3 në Durrës, nga 2 raste në Korçë, Elbasan, Kavajë, nga 1 rast në Lushnjë, Tropojë, Kamëz, Pogradec, Selenicë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3031, që nga fillimi i epidemisë.

2417 raste aktive rezultojnë në të gjithë vendin dhe po ndiqen nga mjekët e familjes.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 122 pacientë të konfirmuar pozitiv ku 14 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Ndërkohë përgjatë javëve të fundit e në vijim kemi një shtim të pacientëve të dyshuar me COVID-19, të cilët po marrin trajtim në dy spitalet COVID.

Nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen mjeku pneumolog 53-vjeçar me origjinë nga Tropoja, banues në Tiranë, si pasojë e insuficencës së rëndë respitarore, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Fatkeqësisht një i ri 28 vjeç nga Shkodra, i shtruar prej disa ditësh në spital, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.

Kanë humbur jetën edhe pas përpjekjeve të ekipit mjekësor një 68-vjeçare nga Tirana, një 71-vjeçar nga Kurbini, një 79-vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, dhe një 77-vjeçar nga Shkodra.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve se në rast se dyshojnë se janë të prekur nga COVID-19 dhe kanë shenja të sëmundjes, të telefonojnë menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun e familjes.

Menjëherë sapo të shfaqen shenjat e para, pacientët duhet të vetizolohen dhe të këshillohen me mjekun e familjes.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari për të mbajtur maskën kudo në ambiente të mbyllura apo ku nuk ruhet distanca, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale. Në këtë situatë të pazakontë, detyra dhe përgjegjësia e secilit është të zbatojë rregullat e thjeshta, të ruajë veten dhe të afërmit”, tha Beqo.

Ajo theksoi se java që sapo lamë, paraqiti një shtim me 5.9% të numrit të rasteve pozitive krahasuar me rastet e konfirmuara në javën e 30-të.

Incidenca 7-ditore rezultoi 24.66 raste pozitive për 100 mijë banorë. Incidencën më të lartë e ka qarku i Tiranës, ndjekur nga qarku i Durrësit dhe i Shkodrës.

Sa i përket grupmoshave të prekura përqindja më e madhe e të infektuarve është në grupmoshat 55-64 vjeç, që përbëjnë rreth 20% të totalit të të prekurve.

COVID-19 – Statistika (3 gusht 2020)
Testime totale 42657
Raste pozitive 5620
Raste të shëruara 3031
Raste aktive 2417
Humbje jete 172 (qarku Tiranë 87, Shkodër 29, Durrës 22, Fier 9, Elbasan 6, Kukës 4, Vlorë 4, Korçë 4, Lezhë 4, Dibër 2, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1342
Durrës 302
Shkodër 218
Fier 96
Vlorë 93
Lezhë 84
Korçë 78
Kukës 69
Elbasan 54
Berat 29
Dibër 28
Gjirokastër 24

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.