COVID-19 – Birx: SHBA në një fazë të re të epidemisë

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH-AFP/ – SHBA-ja ka hyrë në një fazë të re të epidemisë së koronavirusit, tashmë përhapur gjerësisht në territorin amerikan, theksoi këshilltarja e specializuar e Shtëpisë së Bardhë, Deborah Birx.

“Ne jemi në një fazë të re”, deklaroi Birx, që drejton grupin e punë të ngarkuar me virusin në presidencën amerikane.

“Ajo që shohim sot është ndryshe nga marsi dhe prilli”, theksoi ajo për stacionin televiziv CNN duke nënvizuar se masat e marra në përpjekje për të frenuar përhapjen kanë filluar të japin efekte.

“Virusi është përhapur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai është i pranishëm si në zonat rurale ashtu dhe ato urbane”, theksoi ajo duke paralajmëruar të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale se nuk janë të mbrojtur kundër këtij virusi.

Respektimi i rregullave shëndetësore si mbajtja e maskës, masat e higjenës dhe distancimi social është vendimtar”, nënvizoi ajo.

SHBA-ja regjistroi dje 47 508 raste të reja me COVID-19 dhe 515 të vdekur lidhur me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Totali në vend ka arritur në 4,6 milionë raste me COVID-19 dhe 154 834 të vdekur, duke e kthyer në vendin më të prekur në botë nga pandemia e COVID-19./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.