Zvicra, partner i besuar dhe prioritar/ Ruçi uron kryeparlamentaren Moret me rastin e Festës Kombëtare

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot kryeparlamentaren e Zvicrës, Isabelle Moret, me rastin e Festës Kombëtare, ndërsa vlerësoi se “Zvicra është  partner i besuar dhe prioritar për të bashkëpunuar”.

Përmes një letre urimi drejtuar Kryetares së Këshillit Kombëtar të Konfederatës së Zvicrës, Isabelle Moret, me rastin e Festës Kombëtare, Ruçi tha se “Karta Federale si edhe themelimi i Konfederatës së Zvicrës në fillim të muajit gusht të vitit 1291, është një ngjarje e madhe historike për popullin zviceran, zhvillimin, prosperiterin dhe të ardhmen e Zvicrës”.

“Populli shqiptar ushqen një miqësi e respekt të thellë për popullin ziveran, për kontributin e tij në zhvillimin, historinë dhe kulturën botërore. Marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona janë shumë të mira. Aktualisht Zvicra është vendi i katërt donator dhe partneri i 8-të tregtar i Shqipërisë. Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar dhe një vend prioritar për të bashkëpunuar, në mbështetje të zhvillimit të vendit dhe stabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Rreth 30 marrëveshjet e nënshkruara midis të dy vendeve janë një bazë e fuqishme për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, siguria, energjia, bujqësia, etj”, tha Ruçi.

Ai theksoi se në Zvicër jeton prej dekadash një pjesë e rëndësishme e diasporës shqiptare, e cila shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi midis të dy vendeve.

Në letrën e tij, Ruçi vlerëson po ashtu edhe menaxhimin me sukses të situatës së pandemisë së COVID-19, ndërsa shpreh bindjen se “Zvicra do të përballojë me sukses edhe strategjinë e daljes nga pandemia dhe normalizimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit”./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.