Siguria rrugore/ Kontrolle në segmentin Sauk-Teg, hiqen 19 leje drejtimi


TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Policia Rrugore vijoi kontrollet me radar në segmentin Sauk-Teg, për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara.

Po ashtu janë kryer kontrolle edhe në të gjitha rrugët e Tiranës me dragera për të parandaluar ngjarjet rrugore që vijnë si pasojë e drejtimit të mjeteve nën efektin e alkoolit.

“Regjistron 198 km/h, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h, shpejtësi kurrsesi për të udhëtuar i sigurt për veten dhe të tjerët në rrugë. Shënon 1.11 mg/l dhe 0.99 mg/l alkool në frymëmarrjen e një drejtuesi mjeti pune! Papërgjegjshmëri dhe guxim i tepruar, pasojat e të cilës mund të jenë fatale, për jetën e përdorueseve të tjerë të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë, ku evidentohen dy shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit.

Edhe pse kontrollet me radar dhe alkooltestues, janë shumëfishuar jo vetëm në Tiranë, por në gjithë rrugët urbane dhe ato interurbane të Shqipërisë, pavarësisht se në fundjavë kontrollet janë edhe me te përqendruara, fushatat sensibilizuese gjithashtu më të shumta, Policia njofton se “përsëri ka akoma shumë drejtues mjetesh qe abuzojnë duke përdorur mjetin në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore, si ‘vrasës’ të sigurisë në rrugë”.

“Prej orës 20:00 e deri në këto momente, janë hequr 12 leje drejtimi, për shpejtësi që variojnë nga 132 deri në 198 km/h dhe 7 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionin nga 0.29mg/l deri në 1.11 mg/l. Dy drejtues mjetesh në pranga për drejtim mjetin në gjendje të dehur që varionin nga 0.78mg/l deri në 0.99 mg/l, sasi që sipas testeve të verifikuara vinte në rritje”, njofton Policia.

Gjithashtu janë vendosur 5 gjoba maksimale, me nga 30 mijë lekë të reja secila për abuzim me shpejtësinë për drejtues mjetesh rezident në një nga vendet e BE-së.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon dhe të kujdesen për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Të fluturosh në rrugë gati me 200 km/h apo në gjendje të dehur ke cenuar rëndë sigurinë e jetës në rrugë. Policia Rrugore me radarë e dragera është prezente kudo, jo për të shtuar numrin e gjobave por për të parandaluar kërcënimin e jetës në rrugë nga këta drejtues mjetesh që abuzojnë me rregullin dhe normat e sjelljes në rrugë”, thuhet në njoftim./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.