SHÇBA procedon 2 punonjës policie për shpërdorim detyre

TIRANË, 2 gusht/ ATSH- A. Fortuzi/- SHÇBA ka vendosur procedimin penal të dy punonjësve të policisë për shpërdorim detyre, pasi një i shoqëruar për dhunë në familje u vetëvar në paraburgim.

Sipas njoftimit të SHÇBA, në datën 1 gusht, në mbrëmje, në ambientet e dhomave të shoqërimit të DVP Durrës, nga personeli policor u gjend i vetëvarur shtetasi T.T. Ai ishte shoqëruar për rreth 3 orë, si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, nga policia lokale. Familjarët kishin denoncuar dhunën e 52-vjeçarit, nëpërmjet një telefonate në numrin unik 112 dhe policia kishte ndërhyrë menjëherë.

Nga hetimet paraprake të SHÇBA, rezulton se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkolike dhe akti është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në Polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të pranishëm në vendngjarje dhe veprime proceduriale, vazhdojnë të kryhen hetime  për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe zbatimin e procedurave standarte nga punonjësit e policisë.

Për punonjësit e policisë:  A.Ç., në funksionin e ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës; G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë, si dhe struktura policore, të cilat sipas funksionit organik dhe procedurave standarde ngarkohen me përgjegjësi të veprimeve konkrete që lidhen me menaxhimin e kësaj situate po kryhen hetime për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit menjëherë ka nisur hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësitë në zbatimin e procedurave standarde. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.