Finalja Tirana-Teuta në “Air Albania”/ Policia njofton masat për sigurinë dhe shmangien e grumbullimeve

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se do të shtojë masat e sigurisë për ndeshjen midis Tiranës dhe Teutës, e cila pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të jenë të njëjta si në ndeshjen Tirana – Bylis. Do të merren sërish një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, Policia e Tiranës informoi qytetarët se do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës.

Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:30 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe lëvizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.