COVID-19/ ISHP: Nuk ka fakte që vërtetojnë transmetimin përmes qumështit të gjirit

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik informoi sot se nuk ka fakte që vërtetojnë transmetimin e COVID-19 përmes qumështit të gjirit.

Në Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji, ISHP informon nënat e reja në kushtet e situatës së Pandemisë nga COVID-19.

“Ushqyerja me gji përmirëson mbijetesën e foshnjës, siguron shëndetin gjatë gjithë jetës dhe ka avantazhe të padiskutueshme në zhvillimin e fëmijës. Ushqyerja me gji përmirëson gjithashtu shëndetin e nënave duke i mbrojtur ato nga disa sëmundje. Nuk ka asnjë arsye për të shmangur ose për të ndaluar ushqyerjen me gji”, shprehet ISHP.

ISHP shprehet se nënat duhet të vazhdojnë t’i ushqejnë foshnjat me gji edhe në komunitetet ku COVID-19 është i përhapur, pasi nuk ka fakte që vërtetojnë transmetimin e COVID-19 përmes qumështit të gjirit./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.