Vlorë, rehabilitohen rrugët e bllokut të banimit te “Kali i Trojës”

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Banorët e bllokut të banimit te “Kali i Trojës” në Vlorë do të kenë rrugë të asfaltuara.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Drital Leli, tha se “me fondet e bashkisë sot nisëm asfaltimin e rrugëve në bllokun e banimit te “Kali i Trojës””.

“Pas ndërhyrjeve në rrjetin nëntokësor, po kthejmë në gjendjen e mëparshme infrastrukturën e dëmtuar ku u detyruam të devijojmë trafikun gjatë kohës së ndërtimit të bulevardit “Ismail Qemali””, – nënvizoi Leli duke shtuar se investimet do vijojnë edhe në zona të tjera të qytetit.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “kërkoj mirëkuptimin e të gjithë banorëve të kësaj zone për ndryshimin dhe lëvizjen e trafikut në këto momente kur ka shumë trafik në qytet. Por stina e verës është ajo që ne kemi mundësi të bëjmë investime në infrastrukturë dhe sidomos ajo që ka të bëjë me shtrimin e asfaltit”.

Sipas tij, ky është një projekt që ka filluar dhe do të ketë vazhdimësinë në disa akse të qytetit.

Kryetari Leli tha se “pas shtrimit të këtij aksi rrugor,  segmenti tjetër që kemi në projekt rruga nga Bishti i Kalldrëmit në Kuzum Baba dhe nga Kuzum Baba në drejtim të Vetëshërbimit . Do ta rehabilitojmë këtë rrugë në mënyrë që të çojmë në drejtim të Kuzum Babasë, që është një nga vendet piktoreske të qytetit, autobusa turistikë që Vlora të vizitohet nga më shumë njerëz pavarësisht situatës së pandemisë”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.