Standard & Poor’s konfirmoi vlerësimin “B+” për Shqipërinë/Tabaku: Do të ulë renditjen prej borxhit të lartë

TIRANË, 1 gusht /ATSH – I. Vata/- Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot se Standard and Poor’s kërcënon të ulë renditjen prej borxhit të lartë dhe PPP.

Sipas saj, raporti i fundit i S&P vazhdon të jetë kritik ndaj qeverisë dhe sjelljes së saj në raport me rreziqet me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Parashikimi për një kontraktim të ekonomisë me 6.5% të PBB-së, i afrohet përherë e më shumë parashikimit për një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së.

“Vlerësimi konstant i raportit vjen si pasojë e ndihmës ekonomike në formën e REPO që Banka Qendrore Europiane dhe gjithashtu FMN i kanë dhënë Shqipërisë. Raporti kritikon sjelljen e qeverisë ndaj PPP-ve, duke qenë një tjetër zë me peshë që nënvizon rrezikun fiskal dhe buxhetor të PPP-ve.  Raporti nënvizon dhe evidenton se do të ketë ulje të vlerësimit nëse ka përkeqësim të mëtejshëm, si pasojë e ekonomisë informale, rritjes së defiçitit, dhe gjithashtu problemeve me borxhet e fshehura”, shprehet ajo.

Tabaku shton se problematike janë edhe projektet e radhës së qeverisë si rruga Milot-Fier e fryrë disa herë, ndërkohë që detyrimet e prapambetura janë rritur dhe çdo shpenzim jetik është pezulluar. “Me një defiçit fiskal në rritje, borxh publik 80% e PBB, dhe me rrezikun fiskal të PPP, situata është më e errët. Qeveria nuk ka as ndjeshmërinë dhe as vizionin per të ndërmarrë reforma reale strukturore”, shprehet Tabaku.

Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Agjencia shprehet se qeveria është duke ndërmarrë një program të fortë stimulues për të kufizuar ndikimin ekonomik nga pandemia dhe për të rifilluar përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të kaluar.

Gjithashtu, agjencia shprehet se financat publike të Shqipërisë janë konsoliduar vitet e fundit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.