Ndërron jetë nëna e kryeministrit Rama: Deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama, ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka dhënë vetë Kryeministri Rama mëngjesin e të shtunës, ndërsa nënvizon dhimbjen e tij për këtë humbje.

“Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam”,- shprehet Rama.

Aneta Rama i kreu studimet për stomatologji në Poloni, ndërsa ishte një ndër mjeket e para stomatologe në Shqipëri. Në 2018-n, ajo u vlerësua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, për kontributin e veçantë të saj në themelimin e stomatologjisë shqiptare. Në atë kohë, teksa tërhoqi këtë çmim Kryeministri Edi Rama, pohoi se nëna e tij, Aneta Rama, e kishte të pamundur të ishte e pranishme, sepse prej disa kohësh ishte në një përpjekje jo të lehtë me një sëmundje shumë të vështirë.

Greg Rama: Këshillat e tua të vyera dhe përpjekjet për të tejkaluar çdo betejë, do jenë të paharrueshme tek unë

Greg Rama, djali i kryeministrit Edi Rama ka postuar një dedikim prekës për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij.

“Këshillat e tua më të vyera, batutat dhe çdo përpjekje e jotja për të luftuar dhe tejkaluar çdo vështirësi dhe betejë do jenë të paharrueshme tek unë! U prehsh në paqe”, shprehet Greg Rama.

/a.f/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.