Meta: Parimet e Aktit Final të Helsinkit, po aq të rëndësishme edhe sot

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar sot 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit.

Meta shprehet se, “Dita e sotme shënon 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. Duke sanksionuar parimin e respektimit të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në themel të marrëdhënieve ndërshtetërore, Dekalogu i Helsinkit ndihmoi në fundin e Luftës së Ftohtë dhe çlirimin e Europës Lindore nga totalitarizmi komunist”.

Parimet e Aktit Final, citon Presidenti, janë po aq të rëndësishme edhe sot, veçanërisht në kushtet kur parimet demokratike dhe liritë themelore në shumë vende të hapësirës së OSBE-së, kërcënohen nga qeverisje që shfaqin tendenca autoritare që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve.

“Ky jubile i rëndësishëm, duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm se, liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të merren si të mirëqëna e të paprekshme. Për mbrojtjen të tyre duhen përpjekje e vigjilencë e përhershme”- thekson Presidenti.

Meta shprehet se, “nëse asokohe Shqipëria komuniste ishte i vetmi vend europian që e denoncoi procesin e Helsinkit, ky përvjetor e gjen vendin tonë në krye të punëve të OSBE-së”.

“Me marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të udhëheqë me shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend”,- deklaron Presidenti Meta. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.