Ish-kryebashkiaku, Gëzim Zilja: Doktoreshë Najada Çomo dhe shenjtorët e Spitalit Infektiv

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Ish-kryetari i bashkisë së Vlorës, Gëzim Zilja, nëpërmjet një shënimi ka treguar gjithë rrugëtimin e ndjekur në hallkat e sistemit shëndetësor pasi dyshohej si infektuar me COVID-19.

Duke shprehur vlerësimin maksimal për stafet mjekësore, Zilja ka treguar njëherazi edhe peripecitë e kësaj sëmundje.

Në këtë shënim, të botuar në profilin e tij në Facebook ai e konsideron personelin shëndetësor të Spitalit Infektiv të pa lodhur të drejtuar nga prof. Najada Çomo, korrekt dhe gjithmonë në shërbim e pranë pacientëve.

Shënimi i plotë i Gezim Ziles:

Doktoreshë Najada Çomo dhe shenjtorët e Spitalit Infektiv.

Ky shkrim i kushtohet personelit mjekësor të Spitalit Infektiv Tiranë, që lufton përditë për të shpëtuar jetë njerëzish, duke rrezikuar jetën e vet.

Ndodhi pa pritur dhe papandehur. Lodhje trupore, mungese humori dhe një temperaturë që nuk e kaloi 38 gradë. Tamponi negativ, por skaneri nxjerr një pneumoni. Frika e asaj që do të vinte më vonë më përfshiu të gjithin. Urgjent, urgjent, urgjent! Më shumë më trembi doktori i një klinike private, një kokëshqope me përmasat e elefantëve të parqeve të Serengejtit apo Kalaharit, që pasi më bëri grafinë, dukej sikur ishte gati të printonte atë lajmërimin standard: ” Me hidhërim të madh….” Mbasi ma bëri sterrë nuk harroi të shtonte: Te recepsioni duhet të bësh pagesën. Shoqëruar me sirenën e ambulancës, ku llamarinat kërcisnin e ulërinin sikur shtatëqind dreqër hidhnin valle aty brenda, ku asgjë nuk ishte e fiksuar në vendin e vet, dritaret, dyert, ca rrangullina, që shëtisnin lart e posht sipas shpejtësisë së makinës dhe pjerrësisë së rrugës. Unë edhe sot habitem sesi ai grumbull hekurishtesh ecte mbi katër rrota. Më në fund në spitalin ”Shefqet Ndroqi.” Një pritje, kujdes njerëzor i qetë, pa alarm. Edhe një herë skaner, edhe një herë diagnoza: pneumoni, shkaktari i paspecifikuar. Njeriu që rrinte para meje më kujtoi kozmonautin sovjetik Juri Gagarinin, që me anijen e tij kozmike bëri rrotullimin e parë rreth tokës. – Duhet të shkoni pa tjetër te infektivi. Nuk mund tu mbajmë këtu- më thotë doktoresha. Pastaj shtoi qetësisht. – Po gjithçka do të shkojë mirë. Nuk ka për të ngelur asnjë pasojë.- Kaq doja unë si i sëmurë, një fjalë të mirë. Të gjithë parametrat pulsi, tensioni, oksigjeni në gjak mu normalizuan menjëherë.

Rruga nga ”Shefqet Ndroqi” deri te ”Infektivi” u bë e me të njëjtën ambulancë. Ambulancë ramallinë, i thonë disa vlonjatë. Më në fund në spitalin infektiv. Asnjë sekondë e humbur. – Jooo në këmbë, nuk lejohet! Të lutem ulu të këtu!- gati më uli me zor një ”kozmonaut” tjetër në këtë rast infermierja. Fillova të flas për të treguar se jam i fortë e mund të ecë. Po nga brenda skafandrit doli një zë urdhërues. – Të lutem ulu në karrocë dhe lëri fjalët! Pas disa minutash gjEndem në katin e parë shtrirë në krevat me një alamet shishe serumi, që filloi të rridhte në damarë, duke shpërndarë nëpër gjithë trupin tim të drobitur, lëngun jetëdhënës. Kisha kohë të mendohesha e të filozofoja me veten se frika më kishte kaluar por ajo dreq shishe ashtu pikë-pikë… – Ndjehesh mirë shef? – Nga zëri duhet të ishte ishte djalë jo më shumë se 30 vjeç. –Mirë jam mirë- por këtë herë zëri nuk ishte i imi. Kishte tingull tjetër, të dobët, të ngadalshëm dhe të thellë. – Mos fol se nuk të bën mirë!- më këshilloi djaloshi.

Quhej Ylber. Në çdo dy orë më maste temperaturën, pulsin, praninë e oksigjenit në gjak, tensionin. Për një çast mendova se po privilegjohesha, por gabova. Nga darka më çuan në katin e tretë. Vapa ishte e padurueshme. Iu ankova një infermiereje. Ajo më dëgjoi me vëmendje e tha: O gjysh, ( sa fjalë e bukur), më shikon mua? Brenda kësaj veshjeje unë rrobat i kam ujë. Dhe të mendoje që ”uniforma vishej e hiqej me protokoll. E mbylla sqepin. Përsëri serum dhe gjilpëra të mëdha e të vogla. Por ato gra e vajza (djemtë ishin me kokrra) atje në katin e tretë nuk i pashë të uleshin një minutë. Me një shpejtësi e qetësi për tu admiruar shpërndanë ushqimin të ambalazhuar në qeska (ushqim shumë i mirë) e kuti, të gjitha një përdorimshme e po ashtu i mblodhën pasi të sëmurët e konsumuan ushqimin. Nata ishte punë e gjitha. Dikush aty ngjitur kollej pa mbarim! Ishte njësoj sikur tre gjahtare të shtinin njëkohësisht pa pushim. Po kishte dhe të paduruar që orë e çast kërkonin shërbim. Pa u mërzitur, me qetësi e siguri, me veshjen mbrojtëse, ku në shpinë lexoje Ela, Elga, Elda, Silva, ( më dukeshin njësoj) dhe emrat e dy djemve të kudogjendur Danieli dhe Aleksandri, ato fëshfëshet e tyre nuk pushuan deri në mëngjes. Turnet u ndërruan shpejt e shpejt e gjithçka filloi nga e para, po me atë ritëm, përkushtim dhe qetësi. Dy episode po përmend gjatë të atyre shtatë ditëve. Sapo dreka ishte shpërndarë drejt meje vjen një grua e vogëlth,veshur me një palë tuta e një bluzë tepër të përdorur, që ishte shtruar atë mëngjes e më pyet me një zë aq të pakët e të lodhur: A është shpërndarë dreka? U trondita sepse kuptova gjendjen.

Infermierja ia kishte lënë mbi komodinë po ajo e paorientuar nuk e kishte parë. Ishte e vetmja komodinë në atë dhomë që kishte sipër qesen e ushqimit të spitalit dhe asgjë tjetër. Pa infermieren në sy, i tha më falni se nuk e pashë dhe filloi të hante ngadalë. Episodi i dytë një i sëmurë nga ata që mendojnë se të tjerët kanë lindur vetëm pët tu shërbyer, po kërkontë me britma infermieren. Po unë kisha mbi pesë minuta, që e shikoja sesi në dhomën përballë ajo po ushqente një grua të moshuar duke i thënë: Duhet të hash patjetër. Ke dy ditë pa ngrënë. Edhe këtë lugë, edhe këtë… Sakaq shoqja e saj shkoi te i sëmuri që më në fund gjeti ”derman”. Nga ora dhjetë e mëngjesit, kur sapo në damarët e mi ishte derdhur një tjetër shishe me serum u shfaq doktoresha. -Si je ?- më pyeti? Pastaj vazhdoi: Kur të ka filluar? Çfarë ndjen? A ke kollë, frymëmarrja? Dhe në fund: Je i fortë? Mundohesha të depërtoja në fytyrën e saj po veç syve asgjë nuk dalloje dot, asgjë: Sy depërtues, imponues, ngjyrëkafe, që rrezatonin siguri e shpresë. -Mos u mërzit do të dalësh shpejt- më tha duke u larguar. Pastaj ( jo vetëm për mua) u shfaq në orët e vona të pasdites aty ( e bënte çdo ditë) në perëndim të diellit. Ishte po ajo pamje me veshje mbrojtëse, por nuk di pse kjo grua me duk si një gjeneral me atë uniformë, ku mungonin vetëm yjet mbi spalina. Isha i qetë dhe në uniformë lexova emrim, Najada. Po, ajo ishte shefja e pavionit infektiv Najada Çomo, që luftonte e shpëtonte çdo ditë jetë njerëzish, në një mjedis ku çdo sekond ishe i rrezikuar nga virusi kobëzi. – Ku i keni gjetur këta shenjtorë- i thashë për gjithë personelin që shërbente aty.

Isha i befasuar dhe shumë i emocionuar nga shërbimi i atyre djemve e vajzave sepse shpesh na ndodh të dëgjojmë (zot na ruaj!) aq shumë të pavërteta për shërbimin mjekësor?! Unë flas për atë që pashë me sytë e mi. Dhe më shpëtuan disa fjalë të mëdha: Doktoreshë: duke parë këto vajza e djem unë besoj se Shqipëria një ditë do të bëhet. Dhe ”gjeneral” Çomo mu përgjigj plot sinqeritet dhe siguri: Po! Ka shpresë. Shqipëria do të bëhet!

Dhe për ta përfunduar këtë skicë mbresash. Në vitin 1945 në formacionet partizane italiane që luftonin kundër fashizmit mbërriti lajmi se lufta kishte mbaruar. Sandro Pertini ( Më vonë president i Italisë) një nga luftëtarët e rezistencës mbasi sistemoi sendet në çantën e tij u nis drejt rrugës automobilistike. – Ej Sandro, che stai facendo? Dove vai?- e pyeti një nga shokët… Luftëtari sypatrembur i rezistencës italiane, që lufta e ”kurseu” u përgjigj: – Vado e casa. La guerra e’ finita”. Kështu e përfytyroj unë doktoreshë Najada Çomon dhe gjithë ata heronjë e heroina që luftojnë përditë për të shpëtuar jetë njerëzish, duke u përballur me një armik aq të pabesë, të rrezikshëm, të padukshëm. Jo vetëm kaq. Por edhe duke iu kufizuar takimet me njerëzit e dashur dhe jetën private. Pas disa kohësh ( kush e di sa do të zgjasë kjo pandemi?!) kur Covidi të jetë mposhtur dhe vdekshmëria të jetë zero, ajo do të zbresë ngadalë shkallët, do të dalë në oborr dhe do të hedhë sytë nga ajo godinë, ku u zhvillua një luftë e egër, e paparë, e padëgjuar, por tashmë e fituar. Si në një film do t’i shfaqen ato qindra ditë e netë të lodhshme, njerëzit e shpëtuar por edhe ata që e humbën betejën me virusin, sepse luftë pa viktima nuk ka.

Dikush, ndoshta ndonjë nga shoqet e saj do ta pyesë: Doktoreshë Najada, ku po shkon? Dhe ajo me zemrën plot, ngadhnjimtare për betejën e fituar, ashtu thjeshtë si bëjnë heronjtë dhe heroinat e vërteta pasi mundin ”bajlozin e zi” dhe shpëtojnë njerëzimin do të përgjigjet: Do të shkojë në shtëpi. Lufta mbaroi. Covidi u mund!

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.