Futbolli i femrave, Duka: Niveli është rritur shumë, buxheti 1 milionë euro

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Futbolli i femrave ka njohur shumë rritje. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka premtuar një buxhet prej afërsisht 1 milionë euro për ti dhënë hov futbollist të Femrave.

Duka ka vlerësuar ecurinë e sezonit që sapo u mbyll në futbollin e femrave.  “Niveli i futbollit të femrave në Shqipëri është rritur shumë. Kuptohet që këto dy skuadra, “Apolonia” dhe “Vllaznia” janë disi më të shkëputura edhe në nivel edhe me pikë në klasifikim, edhe si finaliste të kupës dhe bëjnë një futboll të bukur, jo me shumë diferenca me futbollin europian”,- tha Duka.

“”Vllaznia” edicionin e kaluar ka bërë një paraqitje shumë të mirë në Champions League dhe përsëri këtë vit do ketë shansin të tregojë veten. Kështu që, ne i kemi kushtuar goxha vëmendje, kemi goxha projekte për të ardhmen e futbollit te femrave”,- tha Duka duke bërë premtimin e madh.

“Siç ju jeni të informuar, në edicionin e ardhshëm ne do të kemi një buxhet afërsisht 1 milionë euro për të paguar direkt futbolliste, trajnerë, specialistë futbolli, vajza që luajnë futboll për t’i bërë sa më shumë të interesuara dhe do vazhdojmë ta mbështesim këtë futboll deri në momentin që të jetë një lloj industrie që të mbajë veten njëlloj si futbolli i meshkujve. Jam shumë i gëzuar me finalen e Kupës nga niveli sportiv, por më pak i gëzuar, sepse ishte pa spektatorë si të gjithë ndeshjet e tjera. Uroj që ky sezon që mbyllëm pa spektatorë të mos përsëritet më dhe të kthehemi në futbollin normal dhe bashkë me atë që është lojtari i 12-të, spektatori”, – tha Presidenti Duka në një prononcim në një media publike.

Prioritet absolut i FSHF-së – Më tej, Presidenti Duka ka theksuar se një nga prioritet kryesore të Federatës së Futbollit është futbolli i femrave dhe duke filluar nga edicioni i ardhshëm do të miratohet një buxhet afro 1 milionë euro për ta mbështetur dhe për ta afruar futbollin e femrave me futbollin e meshkujve për nga niveli.
“Ka disa gjëra që duhen bërë, kushte që janë vendosur nga FSHF. Duhet që ekipet e futbollit të inkuadrohen në klube, ne t’i mbështesim ato në klube, të kenë një organizim më të mirë, siç e ka Vllaznia. Dhe Apolonia është gjithashtu një klub i organizuar shumë mirë edhe për futbollin e femrave. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjithë klubet. Dhe nga kjo patjetër që do të vijë një kualitet më i mirë, por gjithsesi gjithmonë do të ketë një kampion dhe nëse do jetë Vllaznia apo dikush tjetër, ne duhet të arrijmë në një pikë që të kemi sa më shumë konkurrencë mes tyre”, – vijoi Presidenti Duka.

Gjatë prononcimit kreu i qeverisë së futbollit ka folur për projektin e 100 fushave të futbollit dhe rëndësinë e madhe që ka kjo iniciativë e FSHF-së për të ardhmen e futbollit shqiptar.

“E rëndësishme është që ne të bëjmë një̈ infrastrukturë për të zhvilluar futbollin, kryesisht për fëmijët, pra vajza dhe djem. Nuk do të ketë kufizime se kush do t’i ndërtojë këto fusha, mund të jenë subjekte private, mund të jenë klube futbolli, mund të jenë skuadra apo njësi administrative vendore. I vetmi kriter apo kusht që ne kemi vënë është që këto të jenë fusha të reja, sepse Shqipëria ka nevojë për shtimin e inventarit të fushave. Duke parë edhe statistikat europiane, sa fusha për banorë kanë vendet e tjera, ne jemi frikshmërisht larg me këto statistika. Dhe vende shumë të vogla, qoftë edhe Ishujt Faroe kanë 1 fushë për rreth 2000 banorë, ndërsa Shqipëria ka vende që ka 1 fushë për 100.000 banorë apo më shumë. Kështu që ne e kemi të vështirë ta zhvillojmë futbollin dhe ta çojmë atje ku ne pretendojmë. Ne shqiptarët e dashurojmë futbollin. Që të kemi më shumë fëmijë, që të kemi më shumë kualitet, që të kemi më shumë masivitet, këto 100 fusha mund të jenë fillimi. Por Shqipëria ka nevojë për të paktën 500 fusha futbolli”, – tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.