FOKUS – AMAN përzgjedh intervistën e Krasniqit për median në kohën e pandemisë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ – Në buletinin e saj periodik Aleanca e njohur e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, AMAN, ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, ka përzgjedhur intervistën e drejtoreshës së ATSH-së, Armela Krasniqi lidhur me pandeminë e Covid-19, dhënë Aleancës së Agjencive Europiane të Lajmeve, EANA, si një nga më cilësoret.

”ATSH tregoi edhe një herë se ishte e para në sigurimin e informacionit të besueshëm. Ajo u mbështet vetëm te informacione zyrtare, me qëllimin e vetëm për mospërhapjen e panikut në opinionin publik”, thotë Krasniqi në këtë intervistë.

”Kjo pandemi tregoi se ndikimi i medias është i jashtëzakonshëm në formësimin e opinionit publik, sidomos po të kemi parasysh që në tregun mediatik ekzistojnë, për fatin tonë të keq, që nga mediet që spekulojnë dhe deri te ato që merren me teori konspirative dhe që ndikojnë jo pak te njerëzit”, thekson ajo.

”Krizat e mëdha duan zgjidhje të mëdha dhe të guximshme. E gjithë sasia e informacionit të prodhuar nga ATSH ishte plotësisht i bazuar mbi fakte, i marrë në mënyrë zyrtare dhe i qëmtuar deri në detaje. Të dhënat tregojnë se ATSH pati një rritje të konsiderueshme të vizitorëve në faqet e saj në shqip, anglisht dhe frëngjisht. E ardhmja e medias dhe veçanërisht ajo e agjencive të lajmeve do të ketë të bëjë me besueshmërinë, si sfida kryesore, por edhe më e vështirë për t’u fituar”, përfundon Krasniqi.

Gjithashtu, në këtë botim periodik u njoftua edhe fituesi i konkursit për fotografinë më të mirë, i organizuar nga agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA), Istanbul Photo Awards.

Çmimin e parë të këtij konkursi e fitoi fotografia e Yik Fei Lam, me titull “Protestat në Hong Kong”. Fotografia tregon një polic duke i drejtuar pistoletën një protestuesi.

Anëtarë të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) janë agjenci të njohura si AFP, ANSA, ANA-MPA, MENA, EFE, AA e tjerë, ndërkohë që me status vëzhguesi janë organizata të tjera të njohura të medias si ajo e agjencive ballkanike, ABNA dhe e Detit të Zi, BSANNA./ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.