Delvinë, së shpejti skulptura në bronz e aktores Hajrie Rondo

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Qytetit të Delvinës do t’i shtohet një tjetër skulpturë në bronx që do të vendoset në sheshin qendror të tij, ajo e aktores Hajrie Rondo.

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi, e cila thekson se “Delvina, ky vend i magjishëm ku kanë jetuar e jetojnë njerëz që kanë lënë gjurmë në histori, figura që kanë spikatur e spikatin në çdo fushë të jetës, figura që janë memorizuar fort e janë përjetësuar në memorien kolektive për të na dhënë ne, delvinjoteve, doza të fuqishme krenarie. E ndërsa në sheshin qendror të qytetit qëndron hijerëndë e madhështor, Sulejman Delvina, një tjetër figurë pret të hijeshojë e të lartesojë sheshin pranë kinoteatrit të qytetit. Delvinës do t’i rikthehet serish bija e saj Hajrie Rondo, këtë herë jetësuar në bronz”.

“Ndihem vërtet e ngazëllyer, por edhe me fat që do të jap edhe unë mbështetjen time, krahas mbështetjes që kanë ofruar deputetet e zonës Alket Hyseni e z. Andrea Marto. Mirëprita projektin e realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku, pasi askush më mirë se një artist delvinjot nuk mund të realizojë një vepër për një artiste delvinjote”, – theksoi Qilimi.

Kryebashkiakja Qilimi u shpreh se “shumë shpejt Hajria jonë, do të jetë mes nesh, në vendin që e lindi dhe e rriti”.

Hajrie Rondo lindi më 1 mars 1951 në Delvinë. Ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma, mes të cilëve mund të përmendim filmin tepër të njohur për shqiptarët “14 vjeç dhëndër”. Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Hajrie Rondo, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare në 9 shtator 2017. /k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.