Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj bën betimin

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Rushit Begaj u betua sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, gjeneralmajor Begaj duke vënë dorën mbi Kushtetutë, u zotua para Presidentit Meta duke thënë formulën e betimit

“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë”, tha ai.

Duke i dorëzuar dekretin e emërimit, Kryetari i Shtetit i uroi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm punë të mbarë dhe suksese në detyrën tepër të rëndësishme në drejtimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Presidenti Meta theksoi se edukimi dhe specializimi i gjeneralmajor Begaj në fushën e mjekësisë është një vlerë e shtuar që do ta ndihmojë atë në ushtrimin me përgjegjshmëri të lartë të kësaj detyre, veçanërisht në kushtet e përballimit të sfidave të kohës për Forcat tona të Armatosura, si pjesë e NATO.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralbrigade Manushaqe Shehu, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralbrigade Albert Mullai, si dhe komandanti i Komandës Mbështetëse të FA-ve, gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.