Rama: Hapim listat që çdo qytetar të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe deputetin që do

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mundësia për popullin që të zgjedhë edhe deputetin sot është reale.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend ku u diskutuan ndryshimet në Kushtetutë që mundësojnë hapjen e listave për deputetë, Rama iu përgjigj edhe debatit të fundit politik për hapjen 100% të listave.

“Ndryshimet kushtetuese nuk i pengojnë palët politike që ti hapin listat 100%. Ato përcaktojnë për shumë kohë, deri kur palë të tjera do të duan të ndryshojnë, se nuk mund të jenë më pak se 2/3. Nëse kjo është një hile e jona, si shpjegohet se ne i hapim listat më shumë se të tjerët. Sepse ne jemi partia më e madhe, kemi qenë, jemi e do të jemi”, tha Rama.

Sipas tij, se sa do të hapen listat mund të përcaktohet me dakordësi të gjerë.

Mund të shkojë 100%, u shpreh ai, por duhet të ulemi e të vazhdojmë argumentet.

Rama tha se ne vendosëm këtë tavan për të siguruar përfaqësimin e grave, si dhe për të faktin që hymë në një sistem administrimi të ri komplet dhe mbase është diçka që mund të bëhet me faza.

“Kemi 2 javë që shkojmë për të diskutuar se si do të jetë koalicioni parazgjedhor dhe ata vijnë na lexojnë parulla”, u shpreh Rama duke iu referuar mbledhjeve në Këshillin Politik me përfaqësues të opozitës jashtë parlamentare.

“Këto ndryshime kushtetuese që po bëjmë ne, këtë ta dëgjojnë mirë miqtë dhe partnerët tanë nuk e prekin 5 qershorin. Ne e votuam 5 qershorin 1 për 1 dhe nuk e prekim. Kjo që bëjmë sot, e fut sistemin zgjedhor shqiptar në kornizën e botës prej 1 miliardë banorësh të OSBE/ODIHR, sepse është jashtë“, bëri të ditur Rama.

Rama tha se janë pyetur edhe ekspertët e pavarur sot në Këshillin politik, por që ishin të varur te PD dje, edhe këta të varurit e sotëm, që të tregojnë një vend që e ka këtë sistem.

“I vetmi vend që dëgjova ishte në një libër të La Sapienza. Mbase është edhe në ndonjë kapitull se si nuk duhet bërë kjo punë. Por në botën e OSBE/ODIHR-t, këtë se ka askush”, u shpreh Kryeministri.

Ne, deklaroi Rama, nuk po heqim të drejtën për tu bashkuar Luli me Monën,

“Ne s’kemi asnjë interes politik që të ndërhyjmë te ai çift. Ai çift ne na duhet bashkë. Dhe duke patur Lulin me Monën bashkë, kemi edhe baba Xhikën dhe dixhitalin e Lalzit bashkë, dhe kemi gati bandën e të katërve që do tua tregojmë shqiptarëve mirë, por ama bashkë me sistemin normal”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se ata që kanë votuar sot këtu, të jenë të bindur se kanë bërë gjënë e duhur.

“Ata që nuk votuan sot këtu, kanë penguar zbatimin më të mirë të parimit të sistemit proporcional rajonal në kontekstin e këtij vendi. Kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve dhe kufizimin e arsyeshëm të fuqisë së udhëheqjes apo kryetarit të partisë në përcaktimin e deputetëve, kanë penguar uljen e efektit të drejtpërdrejtë që ka marrëdhënia lidership dhe listë e mbyllur, me cilësinë e debatit të brendshëm, kanë penguar përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në Parlament, dhe lehtësimin e ndikimit të grupimeve partiake mbi komunitetet, kur vjen puna të zgjedhja e individëve, kanë ndaluar komunitetet të kenë një njohuri më të mirë për cilësitë e përgjithshme të kandidaturave dhe për fytyrën e kandidatëve, kanë penguar fuqizimin e platformave dhe rritjen e cilësisë së betejës së ideve në fushatë, kanë sabotuar sigurimin e një përfaqësimi të drejtë të të gjithëve bashkë dhe në mënyrë të veçantë të gjinive”, deklaroi Rama.

Por në fakt, shtoi Rama, nuk keni bërë asgjë, pasi tha ai, pak nga numërimi i votave do të dalë që tanimë treni me vagonat fantazëm ka ikur në lumë dhe hapja e listave dhe mundësia për popullin që të zgjedhë dhe deputetin është reale./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.