Rama-Bashës: 5 qershorin aty e ke, tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun; ta bëjmë së bashku

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ “Në emër të shqiptarëve vendos Parlamenti”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një reagim ndaj ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Lulzim Basha reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkarisht dhe reflektuar në Ligjin Zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar!”, u shpreh Kryeministri.

“Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale, tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamentit”, tha kreu i Qeverisë.

Prandaj, theksoi kreu i Ekzekutivit, “mos humb kohë me dokrra të vjetra, duke përsëritur po atë avaz që ju ka çuar nga humbja në humbje, po le të vazhdojmë punën e nisur”.

“5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor, ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun! Ta bëjmë së bashku e mos harro, s’presim dot gjatë!”, përfundoi reagimin e tij Rama.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha më herët se koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit, do ta mbajë vetëm Edi Rama.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale”, tha ai.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.